Kryeministri Edi Rama reagoi pas shpërthimit të mbrëmshëm në Zubin Potok në Kosovë.
Akti i sabotazhit mbi infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë në kanalin e Ibër Lepencit është një krim i rëndë, i cili cenon jetën e qytetarëve të Kosovës dhe godet procesin e normalizimit të marrëdhënieve në rajonin tonë, ku të gjitha shtetet janë të përfshira në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian. Kjo goditje kriminale duhet zbardhur e ndëshkuar sa më parë, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.
Ndërkohë, Bashkimi Europian duhet të heqë menjëherë sanksionet e mbetura ndaj Kosovës dhe të riangazhohet në një format të ri dialogu për normalizim mes Kosovës e Serbisë.
Formati ekzistues ka dështuar të prodhojë rezultatet e dëshiruara dhe është koha që çështjet e dialogut të kalojnë përmes marrëdhënieve bilaterale të BE-së me Kosovën apo Serbinë, si dy shtete njësoj të pavarura prej njëra-tjetrës, ku fati europian i secilit shtet s’mund të varet nga dëshirat a mosdëshirat e shtetit tjetër; ashtu sikundër fati europian i krejt rajonit s’mund të varet nga mosnjohja e Kosovës nga Serbia apo 5 shtete anëtare të BE-së.
Një shpërthim që ndodhi mbrëmë në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut në veriun e Kosovës me shumicë serbe ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit. Prej tij, nga Liqeni i Ujmanit furnizohen disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Sulmi u dënua ashpër dhe u cilësua “akt terrorist” nga autoritetet e Prishtinës zyrtare, si edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, misioni i Bashkimit Europian e Mbretëria e Bashkuar që ofruan mbështetje për qeverinë. Uashingtoni u shpreh se po monitoron nga afër situatën e mbështet një hetim gjithëpërfshirës.
Rreth 15 kg eksploziv u përdorën për shpërthimin në Zubin Potok, në sulmin për shkatërrimin e kanalit të Ibër-Lepencit. Këshilli i Sigurisë së Kosovës u mblodh herët në orët e para të mëngjesit duke miratuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve e shërbimeve kritike.
Mbledhja e Këshillit të Sigurisë u thirr pas sulmit të tretë në 72 orët e fundit, në veriun me shumicë serbe, pa të lënduar. Gishti i akuzës u drejtua nga Serbia, si orkestruese e shpërthimit, si pasojë e të cilit, shumë pjesë të Kosovës mund të mbeten pa energji elektrike ndërsa disa qytete, pa ujë të pijshëm.
Në një bisedë telefonike me homologen Vjosa Osmani, presidenti Bajram Begaj dënoi ashpër aktet terroriste. Sipas njoftimit zyrtar, Begaj tha se “mbështet fuqishëm të gjitha përpjekjet e Republikës së Kosovës për përballimin e situatës dhe hetimin e ndëshkimin e plotë të akti sabotues e terrorist” në Zubin Potok.