Aktualitet

Sulmi që nisi për fërkim makinash, detaje nga ngjarja në Laç me 1 viktimë e 4 të plagosur!

Detaje të reja nga hetimet lidhur me sulmin e një ditë më parë në Laç. Klevis Ndreca, i cili u arrestua ka qenë në makinë me Amarildo Ndojn, i plagosur rëndë ndërsa Daniel Gjeloshi 26 vjeç ishte në automjet me Liridon Ismailajn e Gerald Bitrin, që për fat të keq ndërroi jetë te Trauma duke mos iu mbijetuar plagëve. Të rinjtë u konfliktuan verbalisht për shkak se gjatë lëvizjes me makina, kapën pasqyrat e njëri-tjetrit. Nuk vonoi shumë dhe konflikti verbal agravoi në përdorimin e pistoletave nga palët kundërshtare.

Por, si ndodhi ngjarja që përgjaku Laçin e që la të plagosur edhe një shitëse ambulante? 

5 minuta para ngjarjes kishte ndodhur konflikti për prekjen e pasqyrave të makinave dhe të rinjtë e lanë të takoheshin e të sqaroheshin pak më tej, në rrugën ku ndodhi ngjarja. Me të ndaluar e zbritur, Ndreca nisi të qëllonte me armë e Gjeloshi ia ktheu po me armë. Pra, ata hapën zjarr në drejtim të njëri-tjetrit.

Nga të shtënat, aksidentalisht mbeti i plagosur edhe shoku i Ndrecës Amarildo Ndoj e një shitëse ambulante që shiste qirinj në rrugë për besimtarët që shkonin në Kishën e Laçit. Me pistoletën e tij, Daniel Gjeloshi, nuk ka plagosur asnjë person. Arma e gjetur pak metra larg vendit të ngjarjes i përket Gjeloshit.

Dje në mbrëmje, policia njoftoi zbardhjen e dinamikës së ngjarjes së rëndë e arrestoi dy autorët e dyshuar, Klevis Ndreca, 28-vjeç e Daniel Gjeloshi 27.

Nga këqyrja e kamerave të sigurisë dhe në sajë të veprimeve hetimore të shpejta dhe profesionale, është bërë e mundur sqarimi i dinamikës së ngjarjes, ku është dokumentuar se janë përdorur dy armë zjarri (pistoleta), një armë e ftohtë (përforcues grushti), si dhe dy automjete, të cilat janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, janë arrestuar në flagrancë dy shtetasit D.Gj., 27 vjeç, dhe K.N., 28 vjeç. D.GJ. është plagosur gjatë përplasjes, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Të dy të rinjtë akuzohen për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit.

Materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, ku pritet të vijojnë procedurat për zbardhjen e plotë të rastit dhe përfshirjen e mundshme të personave të tjerë.