Në Spitalin e Traumës në Tiranë ndërroi jetë Gerald Bitri, njëri nga pesë të plagosurit e përplasjes me armë mesditën e djeshme në Laç pas një aksidenti rrugor për përplasje makinash, por vetëm me dëme materiale të vogla. 24-vjeçari nuk mundi t’iu mbijetonte plagëve të marra. Në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës është edhe një 26-vjeçar, Amarildo Ndoj ndërsa tre të plagosurit e tjerë, Daniel Gjeloshi e Liridon Ismaili, 27 e 26-vjeç, si dhe Angjelina Gjezaj, janë në gjendje stabël, me dëmtime në gjymtyrët e poshtme.
Gruaja 58-vjeçare nuk kishte lidhjet me personat e përfshirë, por e kapën plumbat ndërsa qëndronte në rrugë teksa shiste qirinj për besimtarët pranë Kishës së Laçit. Në mbrëmje, policia njoftoi zbardhjen e dinamikës së ngjarjes së rëndë e arrestoi dy autorët e dyshuar, Klevis Ndreca, 28-vjeç e Daniel Gjeloshi.
Njoftimi policor:
Nga këqyrja e kamerave të sigurisë dhe në sajë të veprimeve hetimore të shpejta dhe profesionale, është bërë e mundur sqarimi i dinamikës së ngjarjes, ku është dokumentuar se janë përdorur dy armë zjarri (pistoleta), një armë e ftohtë (përforcues grushti), si dhe dy automjete, të cilat janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, janë arrestuar në flagrancë dy shtetasit D.Gj., 27 vjeç, dhe K.N., 28 vjeç. D.GJ. është plagosur gjatë përplasjes, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Të dy të rinjtë akuzohen për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit.
Materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, ku pritet të vijojnë procedurat për zbardhjen e plotë të rastit dhe përfshirjen e mundshme të personave të tjerë.