U duk se mori përmasa më të dhimbshme ngjarja e rëndë që tronditi komunitetin shqiptar në Skourta, në Viotia të Greqisë. U njoftua se nëna e Sulo Halilit, 27-vjeçarit shqiptar që u gjet i vrarë dhe i djegur brenda makinës së tij, ka ndërruar jetë pas një arresti kardiak, e mposhtur nga dhimbja për humbjen e të birit. Por, më vonë ky lajm u përgënjeshtrua nga familja.
Hetimet greke kanë zbuluar detaje tronditëse mbi mënyrën si u krye krimi makabër. Dyshohet se i riu ra në një kurth të mirëorganizuar, pasi ishte joshur nga një grua të cilën e kishte njohur përmes një aplikacioni takimesh. Ai ishte nisur për t’u takuar në zonën e Vilias, por në vend të një takimi dashurie, e priste një kurth vdekjeprurës.
Sipas autoriteteve, Sulo Halili është mbajtur peng për rreth 24 orë, duke u torturuar dhe më pas ekzekutuar me armë zjarri. Më pas, trupi i pajetë u vendos në makinën e tij, të cilës iu vu flaka në një zonë të izoluar të Skourtas, në përpjekje për të zhdukur çdo gjurmë.
Hetuesit zbuluan se automjeti i përdorur ishte raportuar më parë si i vjedhur dhe mbante targa të falsifikuara, çka ngre dyshimet se pas ngjarjes qëndron një grup i organizuar kriminal që vepron me metoda profesionale.
Policia greke dyshon edhe se 27-vjeçari mund të jetë vrarë në një vend tjetër e trupi i tij të jetë transportuar në zonën ku u dogj mjeti.
Aktualisht, çelësi i hetimeve mbetet telefoni i viktimës, por që ende nuk është gjetur. Besohet se përmban biseda dhe prova të rëndësishme, që mund të çojnë drejt zbardhjes së plotë të ngjarjes.