Rajoni

Zbulohet se kush është shqiptari i lidhur dhe i djegur në një makinë në Greqi!

U zbulua identiteti i shqiptarit, për të cilin policia greke po pret analizat e ADN-së, nëse është i njëjti person me atë të gjetur të ekzekutuar me plumb e më pas të djegur në sediljen e pasme të makinës në Skourta të Viotias në Greqi.

Eshtë fjala për 27-vjeçarin Sulo Halili nga Tepelena, i cili rezultonte i zhdukur prej pasdites së 4 nëntorit. Ai kishte ikur nga banesa e tij në Halkida dhe prej atëherë nuk kishte dhënë shenja jete, ndërkohë që mjeti i tij u gjet i braktisur në Vilia të Athinës.

Halili ka flokë të shkurtër, ngjyrë kafe të errët, sy kafë, është 1.70 m i gjatë dhe i dobët në fizik. Po ashtu, mban mjekër e një tatuazh në krahun e majtë me dy trëndafila, një yll dhe shkronja.  Ditën që u zhduk, mbante veshur një këmishë të zezë, xhinse të zeza Cargo e atlete të bardha.

Autopsia e trupit të gjetur të djegur të premten, zbuloi se viktima ishte qëlluar një herë me armë zjarri dhe më pas qe djegur. U gjet me pranga në sediljen e pasme të një mjeti te vjedhur në Glifadha dhe me targa të një mjeti të ngjashëm në Katerini.

Policia dyshon se viktima mund të jetë përfshirë në veprimtari kriminale ose është gjetur në vendin e gabuar në kohën e gabuar. Priten analizat e ADN-së për të vërtetuar identitetin e tij.