Showbiz

Sydney Sweeney thyen heshtjen pas ndarjes me Jonathan Davino: Jam single dhe po mësoj shumë për veten

Aktorja e njohur hollywoodiane Sydney Sweeney ka folur për herë të parë publikisht rreth ndarjes nga ish-i fejuari i saj, producenti Jonathan Davino, duke konfirmuar përfundimin e një lidhjeje shtatëvjeçare që deri vonë shihej si një nga më të qëndrueshmet në mesin e yjeve të rinj të Hollivudit.

Në një intervistë të dhënë së fundmi për një revistë të njohur amerikane, ylli i serialeve “Euphoria” dhe “The White Lotus” pranoi se është zyrtarisht single dhe se ndarja nga Davino ndodhi rreth dy muaj më parë, pasi marrëdhënia kishte hyrë në një periudhë të ftohtë dhe të paqëndrueshme.

Sweeney dhe Davino nisën lidhjen në vitin 2018, në kohën kur karriera e saj sapo kishte filluar të ngjitej. Edhe pse ylli i “Euphoria” është shpesh në qendër të vëmendjes për projektet e saj në ekran, ajo ka qenë shumë e rezervuar në lidhje me jetën private dhe rrallëherë ka dhënë detaje për marrëdhënien me Davino.

Fejesa e tyre u raportua për herë të parë në vitin 2022, por çifti nuk bëri asnjë koment zyrtar në atë kohë. Lidhja e tyre u përshkrua si e qëndrueshme dhe larg zhurmës mediatike, edhe pse Davino u përfshi në mënyrë aktive në karrierën e Sweeney duke bashkëprodhuar filmin romantik “Anyone But You” në vitin 2023, ku aktorja luajti krah kolegut Glen Powell.

Pas publikimit të filmit, kimia e dukshme në ekran mes Sweeney dhe Powell ndezi një valë spekulimesh mbi një romancë të mundshme mes tyre, veçanërisht pasi aktorët u panë shpesh bashkë gjatë promovimit të filmit. Thashethemet morën hov kur ndjekësit vunë re mungesën e Davino-s në evente të rëndësishme dhe postime të Sweeney-t në rrjete sociale.

Megjithatë, si aktorët, ashtu edhe menaxhmenti i tyre, i hodhën poshtë të gjitha aludimet për një lidhje jashtëekranore, duke theksuar se raporti mes tyre ishte thjesht profesional. Madje, në një intervistë të mëparshme, edhe nëna e Glen Powell kishte mohuar me forcë çdo përfshirje romantike mes djalit të saj dhe Sweeney-t.