Rajoni

Takim me diplomatin amerikan Hanrahan, Kurti: Kosova, partnere e besueshme e SHBA-ve!

Në Prishtinë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti takoi zyrtarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Brendan Hanrahan, me të cilin diskutoi për marrëdhëniet mes Kosovës e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit.

Sipas një komunikate të publikuar nga Kryeministria, “në një darkë pune, palët diskutuan edhe për zhvillimet aktuale politike, bashkëpunimin rajonal dhe raportet me Serbinë”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleate të palëkundura për vendin tonë dhe Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë partnere e besueshme e tyre, u citua të ketë thënë Kurti sipas komunikatës.

Takimi u zhvillua në rezidencën e të ngarkuarës me punë në Ambasadën amerikane në Kosovë, Anu Prattipati. Pjesë e tij ishin edhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli e ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç.

Para vizitës në Kosovë, Hanrahan realizoi vizita në Serbi e Bosnjë-Hercegovinë dhe është zyrtari më i lartë i administratës aktuale amerikane që ka vizituar rajonin e Ballkanit. Kurti ishte i dyti zyrtar i lartë nga Kosova që ka takuar Hanrahanin, pasi ditë më parë bisedoi me presidenten Vjosa Osmani në Uashington.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani tha se bashkë me zyrtarin amerikan diskutuan “thellimin e partneritetit strategjik midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara”.

Në Serbi, Hanrahan takoi presidentin serb, Aleksandar Vuçiç. Përmes një postimi në Facebook, Vuçiç vuri në dukje se bashkëpunimi ekonomik produktiv mes Serbisë e Shteteve të Bashkuara duhet të jetë baza e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

E theksova që Serbia mbetet e vendosur për ruajtjen e paqes e të stabilitetit dhe që dialogun e shohim si mënyrën e vetme për zgjidhje të çështjeve të hapura e për respektim të ligjit ndërkombëtar, vuri në dukje Vuçiç përmes një postimi në Facebook, duke përmendur se me diplomatin amerikan ka diskutuar edhe për situatën në Ballkan.

Në nisje të vizitës, vetë Hanrahan tha se pret me padurim forcimin e lidhjeve mes Shteteve të Bashkuara dhe shteteve të rajonit të Ballkanit.