Gossip

Taylor Swift shpërthen në lot para koncertit në Londër? Pse?

Taylor Swift ka zbuluar një nga momentet më të vështira emocionale të turneut të saj global, “The Eras Tour”, përmes episodit të ri të dokumentarit, ku shfaqet duke qarë pak para daljes në skenë në Londër, pas takimit me familjet e viktimave të sulmit me thikë në Southport.

Në video, e cila ka bërë menjëherë xhiron e mediave, këngëtarja shihet e përlotur ndërsa flet me nënën e saj, Andrea Swift, vetëm minuta para performancës në Wembley Stadium, ku e prisnin 92,000 fansa.

Ai moment i ndjerë vjen pas një vizite shumë emocionale tek familjet e tre fëmijëve që humbën jetën dhe të paktën dhjetë të tjerëve të plagosur në sulmin tragjik të 29 korrikut 2024.

Teksa përpiqet të marrë kontrollin e emocioneve të saj dhe të dalë në skenë, Swift shpërthen në lot, duke thënë se ndjehej e mbingarkuar nga dhimbja që kishte përjetuar pas takimit me familjarët. Nëna e saj përpiqet ta qetësojë duke i thënë:

E di që i ke ndihmuar ata. E di që nuk duket kështu, por e di që i ke ndihmuar.

Swift pranon se pavarësisht emocioneve të forta, ajo e ndjen si detyrë të vazhdojë performancën dhe t’u japë fansave atë që presin.

Është puna ime të përballoj këto ndjenja dhe të dal menjëherë në skenë

-shprehet ajo në dokumentar.

Këngëtarja ka reaguar publikisht për ngjarjen e rëndë edhe në momentin kur ndodhi, duke thënë se ishte e shokuar dhe e tronditur nga dhuna që iu shkaktua fëmijëve gjatë klasës së vallëzimit me temë Swift.

“The Eras Tour”, i cili tashmë konsiderohet një ndër turnetë më të mëdhenj në histori, zbulon përmes kamerave anën e brishtë të superyllit të pop-it, që shpesh fshihet pas dritave të skenës dhe energjisë së saj të jashtëzakonshme.