I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë teologu Vladimir Kera. Tani që muaji i shenjtë i Ramazanit është fare pranë, ai na ka njohur me përfitimet në shpirt dhe në mendje të agjërimit, disa rituale dhe ka ndarë këshillat e tij për të gjithë ata që agjërojnë për herë të parë…
A mund të nisemi për të agjëruar me një qëllim të caktuar, pra nëse kemi humbur një të afërm dhe mund t’ia dedikojmë njerëzve që nuk jetojnë më? Apo nëse kemi bërë një gabim dhe nisemi me qëllimin për t’u pastruar dhe reflektuar?
Nuk përjashtohen vështirësitë dhe sikletet e jetës, apo ambiciet e njeriut, por qëllimi primar është Zoti. Qëllimi primar nuk është objekti, pra ajo që ti ke nevojë. Ti ke nevojë për atë për të cilin ti zgjedh këto gjëra, ose mbi të gjitha të bën të reflektosh për realitetin e gjërave, të bën të vlerësosh realitetin e atyre që ke. Ndërsa për njerëzit që nuk janë, është lutja. Lutja është forma më e mirë e mundshme për t’i kujtuar ata: ‘Zoti t’i falë, Zoti t’i mëshirojë’. Është lëmosha që i japim të tjerëve për ato.
A është dëgjimi i lutjeve në Ramazan më i fortë?
Shumë më i fortë. Çdo punë e mirë, thotë Zoti, është e madhe, por në Ramazan është më e madhe. Sipas fjalës që thotë profeti; ‘çdo punë që bën njeriu është për veten e vet, agjërimin e bën për mua dhe shpërblimin e kam unë specifikisht.’ Pra Zoti është ai që shpërblen specifikisht agjërimin. Prandaj është adhurim sa individual, sa personal, aq i drejtpërdrejtë me Zotin. Lutja shkon për të vdekurit, lëmosha shkon për të vdekurit, pra na bën t’i kujtojmë ata, na bën të jemi të vetëdijshëm në një formë që bën sens. Asgjë tjetër nuk shkon tek ata. Ndërsa agjërimi është për ty, rrugë e jotja. Por nuk përjashtohen dëshirat, por çështja është shumë e rëndësishme se çfarë kërkon. Se çfarë ndodh, ndonjëherë ne ngatërrojmë mirësinë me pasurinë, sepse për disa njerëz pasuria nuk mund të jetë mirësi, sepse i bie në dorë njeriut të gabuar, në momentin e gabuar, në papjekurinë e duhur. Prandaj i kërkojmë Zotit, më jep atë gjë që ti mendon se është e duhura për mua, jo atë që unë mendoj, sepse unë mund të mos mendoj saktë. Njeriu kërkon bekim, kërkon mirësi, kërkon urtësi, kërkon pastërti shpirti, pastaj i vjen apo nuk i vjen leku, ky ka shpirtin e duhur.