I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë teologu Vladimir Kera. Tani që muaji i shenjtë i Ramazanit është fare pranë, ai na ka njohur me përfitimet në shpirt dhe në mendje të agjërimit, disa rituale dhe ka ndarë këshillat e tij për të gjithë ata që agjërojnë për herë të parë…
Çfarë mund t’u thoni atyre që agjërojnë për herë të parë?
Janë disa gjëra që nuk shpjegohen, vetëm kur provohen. Për shembull, unë kam dy vajza dhe nuk e kam kuptuar kurrë se çfarë do të thotë të kesh fëmijë, deri kur i kam pasur vetë, është e pamundur ta perceptosh. Ose dikush nuk e kupton vlerën e prindit, deri kur ai largohet. Duhet ta përjetosh që ta kuptosh. Është shumë e vështirë, nuk mund ta shpjegoj. Çështjet shpirtërore, personale, si adhurimet, si njohja e Zotit, si disa përvoja shpirtërore, nuk shpjegohen, vetëm jetohen. Madje përjetohen. Duhet të hysh vetë aty, është çështje shpirti. Fjalët janë të vogla. Ke vënë re ndonjëherë dikë që ka aq shumë gëzim, sa loton? Po ta shikosh në pamje të jashtme, do thuash që nuk është normal, pse duhet të qash kur ke gëzim. Por ai është e pamundur që ta shpjegojë gëzimin, saqë kthehet në lot. I kalon dimensionet normale. Njeriu është i vogël, nuk ka gërma, nuk ka artikulim, nuk mundet ta shprehë, vetëm mund ta përjetojë. Për mua Ramazani ky është. Kush ka dëshirë ta provojë, le ta provojë. I betohem që do të kalojë një përvojë unike, të rrallë, me vete e vet, me askënd tjetër. Por agjërimin tre dimensional; trupi, mendja dhe shpirti, që ta përjetosh si duhet. Jo thjesht të rrish pa ngrënë dhe pa pirë deri në darkë dhe të vazhdosh të gjithë rutinat që ke, ku shpirti mund të ketë disa trazira. Nise që në mëngjes herët dhe thuaj; ‘Me Zotin para, do përpiqem që të mos kem mendime të gabuara, mos të kem trazira shpirti, do mundohem të jem i mirë.’ Mbani mend një gjë, do sprovohesh, do provokohesh shumë, sepse Zoti të teston. Diku do të ikë taksia, dikush do të flasë, do të marrë në telefon. Ti vetëm një gjë thuaj, je agjërueshëm dhe provoje deri në darkë. Do ta shikosh që do jetë përvojë unike. Dhe për gjithë ato fjalë që nuk i the, që doje t’i thoje por nuk ishin për t’u thënë, do thuash ‘shyqyr që nuk i thashë, ia dola.’