Të dhënat nga 27 vende evropiane zbulojnë se përdorimi i disa gjuhëve forcon rezervën kognitive dhe ul rrezikun e plakjes së shpejtë sa më shumë gjuhë, aq më i madh efekti. Plakja është një proces i ndërlikuar biologjik dhe nuk ndodh te të gjithë me të njëjtën shpejtësi. Ndërsa disa njerëz edhe në moshë të shtyrë mbeten mendërisht dhe fizikisht vitalë, te të tjerët shenjat e hershme të plakjes shfaqen shumë më herët. Shkencëtarët këtë e quajnë “plakje e përshpejtuar”.
Në këto raste, funksionet fizike dhe kognitive bien më shpejt sesa pritet statistkisht. Cilat faktorë mund ta ngadalësojnë këtë proces është një nga pyetjet qendrore të studimeve mbi plakjen, nga ushqyerja dhe aktiviteti fizik, e deri te angazhimi mendor. Neuroshkenca prej kohësh ka supozuar se shumëgjuhësia mund të jetë një faktor mbrojtës. Kush kalon rregullisht nga një gjuhë në tjetrën, aktivizon mekanizmat e vëmendjes dhe kontrollit që zakonisht dobësohen me moshën. Megjithatë, deri tani nuk ishte e qartë nëse ky efekt mund të matej realisht në nivelin e plakjes biologjike.
Studimi i ri i madh jep dëshmi të qarta
Një studim i ri, i përmasave të mëdha, për herë të parë jep prova se njerëzit që flasin më shumë se një gjuhë vërtet plaken më ngadalë. Për të konfirmuar lidhjen mes shumëgjuhësisë dhe plakjes së ngadaltë, ekipi i studiuesve ka marrë parasysh edhe faktorë të tjerë që ndikojnë në plakje, si arsimimi, aktiviteti fizik dhe ndikimet sociale. Peter Berlit, i cili për agjencinë dpa deklaroi:
Ky studim konfirmon vëzhgime të mëhershme që sugjeronin se shumëgjuhësia paraqet një faktor mbrojtës kundër demencës
Të dhëna shëndetësore nga 27 vende evropiane
Shkencëtarët kërkonin të zbulonin nëse procesi i plakjes te njerëzit shumëgjuhësh ndryshon në mënyrë të matshme nga ai i personave njëgjuhësh. Për secilin pjesëmarrës ata llogaritën të ashtuquajturën “moshë biobiheviorale”, një tregues që reflekton se sa janë ndryshuar funksionet fizike, mendore dhe sociale. Rezultatet treguan se njerëzit që përdorin rregullisht disa gjuhë kanë shumë më pak gjasa të shfaqin shenja të plakjes së përshpejtuar. Ky efekt mbeti i qëndrueshëm edhe pasi u morën parasysh faktorë si arsimimi, të ardhurat dhe cilësia e ajrit.
Sa më shumë gjuhë, aq më i madh efekti
Veçanërisht interesante është se efekti mbrojtës varet nga “doza”. Pra, personat që flasin dy ose më shumë gjuhë plaken dukshëm më ngadalë sesa ata që flasin vetëm një, jo vetëm në momentin e matjes, por edhe përgjatë disa viteve të ndjekjes. Si saktësisht shumëgjuhësia e bën trupin më rezistent ndaj plakjes, ende nuk është plotësisht e qartë. Studiuesit supozojnë se kalimi i vazhdueshëm mes gjuhëve funksionon si një lloj “stërvitjeje mendore”, e cila mban aktive rrjetet kognitive të trurit. Kjo forcon të ashtuquajturën rezervë kognitive, që e mbron trurin nga dëmtimet sidomos në moshë të thyer.