Tunelet e Londrës të ndërtuara gjatë Luftës së Dytë Botërore, të cilat i shërbyen Ian Fleming si frymëzim për personazhin e James Bond, do të bëhen një muze i dedikuar punës së shërbimeve të inteligjencës. Brenda muzeut, do të shfaqen pajisje spiune dhe instalime interaktive dhe vizitorët do të jenë në gjendje të shërbehen vetë në barin nëntokësor. Shkrimtari Ian Fleming ishte një prani e vazhdueshme në këtë kompleks tunelesh, ku punoi për organizatën e inteligjencës së Winston Churchill, 30 metra nën tokë.

Labirinti i tuneleve, i cili shtrihet në një sipërfaqe prej 8,000 metrash katrorë pranë stacionit të metrosë Chancery Lane, shërbeu si frymëzim për romanet e Flemingut për agjentin 007. Muzeu, i cili do të tregojë historinë e shërbimeve britanike të inteligjencës, pritet të hapet në vitin 2028. Ekspozita do të përfshijë pajisje origjinale, objekte, armë, dokumente dhe ndërtimi i këtij atraksioni të ri turistik do të kushtojë 220 milionë dollarë.

Tunelet u ndërtuan gjatë viteve 40 të shekullit të kaluar si strehë nga lufta. Ato u shndërruan më vonë në një qendër që shërbeu si një sistem komunikimi i brendshëm gjatë Luftës së Ftohtë në vitet ’50 të shekullit të kaluar. Kjo hapësirë u mor në zotërim nga British Telecom në vitin 1980 dhe kjo kompani hapi edhe një bar, i cili përdorej nga personeli qeveritar. Ky atraksion pritet të tërheqë tre milionë vizitorë çdo vit.
Sjellim në vëmendje se tuneli Buco del Viso, i vendosur thellë në Alpe, dëshmon për përpjekjet mbresëlënëse të ndërtimit të së kaluarës së lashtë. I ndërtuar në shekullin e 15-të, ishte një kalim strategjik midis Francës dhe Italisë, duke u mundësuar tregtarëve, ushtarëve dhe udhëtarëve të kapërcenin terrenin e ashpër alpin. Sot, më shumë se pesë shekuj më vonë, Buco del Viso mbetet një dëshmi interesante e këmbënguljes njerëzore, aftësive të ndërtimit dhe nevojës për të lidhur popujt në kushte të vështira gjeografike.