Një foto e faturës së një turisti të zemëruar, i cili ka paguar 151 euro për një udhëtim me taksi është shpërndarë me shpejtësi në rrjetet sociale. Në letër thuhej se distanca e rrugës ishte zero kilometra dhe koha e udhëtimit ishte dy sekonda e tëra. Shuma e kërkuar për këtë shërbim ishte 151 euro.

Nga ajo që shihet, duket qartë se taksisti ka tentuar ta mashtrojë turistin duke i tarifuar një shumë të madhe parash dhe se kur i ka kërkuar faturën, ka futur në mënyrë të pakuptimtë një numër dhe ka ndezur taksimetrin vetëm për dy sekonda. Bëhet fjalë në fakt për një rrugëtim me taksi nga Spliti në aeroport, i cili është rreth 25 kilometra nga vetë qyteti. Disa nga komentet më qesharake lidhur me këtë ndodhi ishin:
Nëse ai përshkoi 25 kilometra në dy sekonda, kjo është super e lirë, në një minutë shtesë do të kishin arritur në Berlin.
Për në Tokio është më lirë.
Është super tarifë për dy sekonda, 151 euro… duhet të punoj pesë ditë.
Është teleportim me taksi.
