Të paktën 58 palestinezë kanë humbur jetën në bombardimet izraelite në Rripin e Gazës gjatë natës dhe në mëngjes. Ushtria izraelite goditi shtëpitë, duke vrarë burra, gra e fëmijë teksa po flinin. Izraeli i rifilloi bombardimet në Gaza të martën, duke prishur armëpushimin që ndali luftën dhe ndihmiu në lirimin e disa dhjetëra pengjeve.
Qeveria izraelite fajësoi Hamasin për rifillimin e luftimeve, pasi grupi militant nuk pranoi një propozim të ri që dallon nga marrëveshja e nënshkruar mes palëve. Më shumë se 400 palestinezë u vranë vetëm të martën, kryesisht gra dhe fëmijë, referuar të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e cila kontrollohet nga Hamasi.
Hamasi nuk raportohet të ketë shkrepur raketa apo kryer ndonjë sulm tjetër. Një nga sulmet në orët e para të ditës së sotme goditi shtëpinë e familjes Abu Daqa në Abasan al-Kabira, një fshat pranë Han Junisit, në afërsi të kufirit me Izraelin. Ushtria izraelite i kishte urdhëruar banorët në fillim të javës, që të evakuoheshin.
Ky sulm vrau të paktën 16 vetë, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas Spitalit Europian. Të vrarë mbetën një baba me shtatë fëmijët e tij, si dhe prindërit dhe vëllai i një foshnjeje njëmuajshe që mbijetoi bashkë me gjyshërit.
Izraeli, që gjithashtu ka ndërprerë furnizimin me ushqim, karburant dhe ndihma humanitare për rreth 2 milion palestinezët në Gaza është zotuar se do t’i intensifikojë operacionet që Hamasi të lirojë 59 pengjet e mbetur, 35 prej të cilave besohet të kenë vdekur. Po ashtu, të heqë dorë nga kontrolli mbi Gaza.
Administrata Trump, e cila mori meritat për ndërmjetësimin e armëpushimit, bën të ditur se e mbështet plotësisht Izraelin. Hamasi ka thënë se do të lirojë pengjet e mbetura vetëm në këmbim të një armëpushimi të qëndrueshëm dhe tërheqjes së plotë të Izraelit nga Gaza, siç kërkohej në marrëveshjen e armëpushimit të arritur në janar, pas më shumë se një viti ndërmjetësimi nga Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari.