Health & Beauty Lifestyle

Tek pyetja e sikletshme “Sa e ke rrogën?” deri tek ankthi financiar! Ja se përse gjenerata Z po ankohet më shumë…

Dikur pyetja që e prishte atmosferën në takim ishte: “Kë voton?”. Sot, për Gen Z, shpesh është më direkte: “Sa e ke rrogën?” Ose, më saktë, “A je i/e stabilizuar?” Sepse paratë kanë dalë nga sirtari i tabuve romantike dhe kanë hyrë në qendër të bisedës, nga takimi i parë te planet afatgjata.

Sipas një sondazhi 46% e Gen Z thonë se nuk do të dilnin me dikë që është i papunë, edhe nëse u pëlqen. Dhe e ardhura, sipas të njëjtit raportim, del si faktor madje më vendimtar sesa dallimet në orientim politik. Në TikTok, në sondazhe, në komentet poshtë videove “dating”, një ide përsëritet: përputhja s’është vetëm shkëndijë, është edhe logjistikë jete: shpenzime, zakone, objektiva, mënyrë menaxhimi.

Kjo vëmendje te ekonomia lidhet edhe me mënyrën si është rritur ky brez: Gen Z ka jetuar me idenë e pasigurisë si normalitet kriza e 2008-ës, pandemia e 2020-ës, çmimet që rriten, qiratë që s’ndalen. Prandaj “stabiliteti” nuk tingëllon si materializëm; për shumë prej tyre është thjesht mbijetesë e mençur. Dhe kjo vlen për të dyja gjinitë. Madje, në marrëdhëniet heteroseksuale, gratë janë gjithnjë e më të vetëdijshme për pavarësinë financiare edhe në gjeste të vogla që sot janë deklaratë: për shembull: ta ndash faturën.

Pyetja klasike “kush paguan?” në takimin e parë rri pezull mes trashëgimisë patriarkale dhe atij momenti të sikletshëm ku të dy palët bëjnë sikur s’e kanë mendjen te fatura, por e kanë. Sipas një shpjegimi disa e justifikojnë idenë që “paguajnë burrat” me faktin se ende ekziston hendeku i pagave mes grave dhe burrave, që gratë paguajnë më shumë për disa produkte (nga veshjet te kujdesi personal) dhe shpenzojnë më shumë kohë e para për t’u përgatitur për takim, sepse kështu u kërkon norma sociale.

Por nga ana tjetër: disa studime kanë vërejtur se ajo që duket si gjest “i sjellshëm”, mund të mbajë brenda një logjikë më të vjetër: idenë që burri “duhet” të mbrojë dhe të marrë kontrollin, një lloj paternalizmi që sot nuk pritet më të kalojë pa u pyetur. Në marrëdhënie, dinamika shpesh është më praktike: fatura ndahet, ose e merr ai/ajo që është më i madh në moshë apo fiton më shumë, jo si rregull, por si marrëveshje.

Për brezat që janë rritur me modelin klasik “babai sjell rrogën, nëna mban shtëpinë”, është e vështirë të mos e njohin stereotipin e vjetër. Gen Z, në teori, e sheh çiftin si dy individë që e mbajnë veten me pagën e tyre dhe e kërkojnë autonominë pa negociata. Por në praktikë, po shfaqet edhe një realitet tjetër: gjithnjë e më shpesh është gruaja ajo që fiton më shumë dhe kjo, në shumë rrëfime online, shoqërohet me një lloj sikleti nga partneri, sepse disa role “të vjetra” ende jetojnë në ego.