Qeveria britanike kërcënoi se do ta çojë në gjykatë biznesmenin rus Roman Abramovich për 3.4 miliardë dollarë të ngrira nga shitja e klubit të futbollit Chelsea, të cilat ai kishte kërkuar të përdoreshin për viktimat e luftës në Ukrainë. Abramovich u sanksionua nga Londra pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, çka çoi në një shitje të shpejtë të klubit dhe ngrirjen e të gjitha të ardhurave nga kjo shitje.
Britania insiston që këto fonde të përdoren vetëm për ndihmë humanitare brenda Ukrainës, në përputhje me përpjekjet më të gjera europiane që Rusia të paguajë për dëmet e shkaktuara nga agresioni. Në anën tjetër, Abramovich kërkon më shumë fleksibilitet dhe dëshiron që fondet të shkojnë për të gjitha viktimat e konfliktit, jo vetëm ato në Ukrainë.
Në një deklaratë të përbashkët të rrallë, ministrja britanike e Financave, Rachel Reeves dhe ai i Jashtëm, David Lammy thanë sot se “qeveria është e gatshme të ndërmarrë hapa ligjorë për të siguruar që paratë të përdoren sipas qëllimit të përcaktuar”.
Qeveria është e vendosur që të ardhurat nga shitja e klubit të futbollit Chelsea të përfundojnë në kauza humanitare në Ukrainë, pas pushtimit të paligjshëm dhe të përmasave të plota nga Rusia. Jemi thellësisht të zhgënjyer që nuk është arritur ende një marrëveshje me Abramovichin.
Dy ministrat vunë në dukje se “dera për negociata mbetet e hapur”, por se janë “plotësisht të përgatitur ta ndjekin çështjen në gjykatë nëse është e nevojshme”. Avokati i Abramovich-it në Britani nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment. Në muajin mars, agjencia Reuters raportoi se qeveria britanike po shqyrtonte ndërmarrjen e veprimeve ligjore për këtë çështje.
Chelsea, nën pronësinë e Abramovich-it, përjetoi periudhën më të suksesshme në historinë e tij, përpara se në maj të vitit 2022 t’i shitej një konsorciumi të drejtuar nga investitori amerikan Todd Boehly dhe firma e kapitalit privat Clearlake Capital.
Të ardhurat nga shitja aktualisht janë të ngrira në një llogari bankare në Britani dhe nuk mund të përdoren pa një leje të veçantë nga Zyra për Zbatimin e Sanksioneve Financiare, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Financave.