Në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, është finalizuar ekstradimi nga Spanja drejt Shqipërisë i shtetasit shqiptar Ermal Gora, 46 vjeç, banues në Tiranë, i shpallur më herët në kërkim ndërkombëtar. Ekstradimi u krye falë bashkëpunimit të ngushtë mes specialistëve të Interpol Tiranës dhe homologëve të tyre të Interpol Madridit.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunim.
E.G. dyshohet se në maj të vitit 2023, së bashku me tre shtetas të tjerë, ka tentuar të kryejë një vrasje në qytetin e Beratit. Ngjarja u parandalua falë ndërhyrjes në kohë të Policisë së Beratit, në kuadër të operacionit “Objektivi”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Berat për veprime të mëtejshme.