Tentuan të vrasin një 58-vjeçar me sëpatë në Shtyllas të Fierit, pranga 63 vjeçarit Pashuk Paluca, në kërkim djali i tij 40 vjeç, Ndue Paluca. I dëmtuari Llesh Marku ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Sipas burimeve policore, djemtë e dy familjeve janë konfliktuar më parë për motive të dobëta duke vazhduar edhe paraditen e djeshme. Prej vitesh, dy familjet jetojnë në fshatin Shtyllas, të ardhur nga Kukësi e Puka.
Njoftimi zyrtar policor:
Tentuan të vrisnin me mjet prerës një shtetas, pas një konflikti për motive të dobëta, vihet në pranga një nga autorët e dyshuar. Punohet për kapjen e autorit tjetër. Paraditen e djeshme, njoftohemi se në fshatin Shtyllas, është plagosur me mjet prerës një shtetas.
Menjëherë pas njoftimit të marrë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë shkuar në vendngjarje dhe falë reagimit në kohë kapën dhe shoqëruan një nga autorët e dyshuar.
Shtetasi P.P. dhe djali i tij, shtetasi N. P., dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me mjet prerës (sopatë), shtetasin Ll.M., 58 vjeç, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit P.P., 63 vjeç, për veprën penale “Vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë.
Po punohet intensivisht për kapjen e djalit të tij, shtetasit N.P., 40 vjeç, banues në fshatin Shtyllas. U sekuestrua në cilësinë e provës materiale mjeti prerës (sopatë), me të cilën autorët goditën 58-vjeçarin.
Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatë së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.