Bota

Tërmeti në Tibet, rëndohet bilanci i viktimave!

Të paktën 95 persona kanë gjetur vdekjen dhe 130 u lënduan nga tërmeti i fuqishëm që sot goditi rajonin e Tibetit. Sipas mediave shtetërore kineze që citojnë burime në terren, ende shumë vetë kanë mbetur nën rrënojat e shtëpive dhe ndërtesave në këtë rajon në perëndim të Kinës. Raportohet për 1 mijë banesa të dëmtuara.

Tërmeti u ndje edhe në Nepalin fqinj e në pjesë të Indisë. Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës njoftoi se ishte me magnitudë 7.1 i shkallës Rihter dhe u regjistrua në një thellësi prej rreth 10 kilometrash. Kina dha tjetër magnitudë, 6.8.

Epiqendra e tërmetit ishte rreth 75 kilometra në verilindje të Everestit, malit që shtrihet në kufirin mes Kinës dhe Nepalit. Kjo zonë është sizmologjikisht aktive, pasi aty përplasen pllakat nëntokësore të Indisë dhe Euroazisë. Rreth 50 lëkundje u shënuan në tri orët pas tërmetit. Për pasojë u mbyll zona turistike e Malit Everest, në anën kineze.

Rreth 1 mijë e 500 zjarrfikës dhe anëtarë të ekipeve të shpëtimit u dërguan në zonë për të kërkuar për njerëz të bllokuar nën rrënoja, sipas njoftimit të Ministrisë së Menaxhimit të Emergjencave. Gjithashtu, 200 ushtarë iu bashkuan operacionit të kërkimit, siç raportojnë mediat shtetërore.

Lideri i Kinës, Xi Jinping, bëri thirrje për përpjekje të gjithanshme në shpëtimin e njerëzve, minimizimin e viktimave dhe sistemimin e personave që kanë humbur shtëpitë.

Ndërkohë, në Nepal, autoritetet iu kërkuan zyrtarëve lokalë në zonën pranë epiqendrës, të shikojnë nëse ka viktima apo dëme. Qendra Kombëtare e Operacioneve Emergjente në Kathmandu raportoi se njerëzit në verilindje të Nepalit e ndjenë tërmetin, por nuk kishte njoftime të menjëhershme për lëndime apo dëme në shtëpi.