Dridhje toke në Tibet, të paktën 53 viktima sipas bilancit më të fundit të përditësuar nga mediat shtetërore kineze. Tërmeti me magnitudë 7.1 Rihter e kishte epiqendrën në Tibet, në një thellësi prej rreth 10 kilometrash, siç saktësoi Shërbimi Gjeologjik Amerikan.
Agjencia shtetërore kineze e lajmeve Xinhua, që citon autoritetet lokale, raportoi se të paktën 53 persona u vranë dhe 62 u plagosën.
Shumë shtëpi pranë epiqendrës u shembën. Lëkundja u regjistrua në qarkun Dingri, në shpatin verior të malit Everest dhe rreth 400 kilometra në perëndim të kryeqytetit tibetian, Lhasa.
Tërmeti u ndje në zonën përreth. Ushtria kineze dërgoi një dron për të monitoruar epiqendrën. Operacionet e shpëtimit janë ende duke u zhvilluar dhe banorët u evakuan për të shmangur efektet e mundshme të pasgoditjeve, shtoi agjencia Xinhua.
Qendra e Monitorimit të Tërmeteve të Kinës, CENC regjistroi një magnitudë prej 6.8 Rihter. Tibeti, si dhe e gjithë Kina jugperëndimore, Nepali dhe India veriore, shpesh preken nga tërmetet e shkaktuara nga përplasja e pllakave tektonike indiane dhe euroaziatike.