Auto & Moto

Tesla e lirë më në fund po vjen!

Prej disa vitesh, Tesla dhe CEO i saj, Elon Musk, kanë premtuar se një model me kosto të ulët është në zhvillim e sipër, por nuk kanë dhënë detaje se si do të duket dhe sa i lirë mund të jetë. Musk së fundmi nxori në pah se Tesla e lirë më në fund po vjen. Tesla e lirë që do të dalë së shpejti është një Model Y, ose, të paktën, një version i tij. Musk nuk dha shumë hollësi, por modeli i ri pritet të ketë një motor të vetëm dhe bateri më të vogël. 

Tesla ka nisur së fundmi shërbimin e shumëpritur Robotaxi në një zonë të kufizuar në Austin, Texas dhe tashmë synon të zgjerohet në rajonin e San Franciscos. Megjithatë, kompania ende nuk ka marrë miratimin nga autoritetet lokale për të vazhduar. Pavarësisht kësaj, gjatë një telefonate për fitimet tremujore të Tesla-s, Elon Musk deklaroi se “gjysma e popullsisë së SHBA-së do të mbulohet nga Robotaxi deri në fund të vitit”.

Kjo deklaratë vjen ndërkohë që jemi tashmë në fund të korrikut dhe sistemi funksionon vetëm në një qytet të vetëm. Ndërkohë kujtojmë se disa video nga Texas tregojnë që automjetet e vetëdrejtuara kanë pasur vështirësi me situatat reale në trafik. Kjo ka ngritur dyshime serioze mbi aftësinë reale të shërbimit për t’u zgjeruar në pjesë të tjera të vendit për vetëm pesë muaj. Pretendimet e Musk vazhdojnë të ngrenë pikëpyetje mbi realizueshmërinë e vizionit të tij për të ardhmen e transportit.

Shitjet e Teslas ranë me 13% në periudhën midis prillit dhe qershorit, pasi CEO i saj Elon Musk përballet me reagime të ashpra dhe konkurrenca po ndikon në dominimin e kompanisë. Bojkotet për shkak të pikëpamjeve politike të Elon Musk vazhdojnë t’i mbajnë blerësit larg, një zhvillim i rëndësishëm duke pasur parasysh pritjet se zemërimi me CEO-n miliarder të kompanisë do të ishte zbehur deri tani. Kompania raportoi një rënie prej 13% në shitje të mërkurën, në një tjetër shenjë se mbështetja e mëparshme e Musk për presidentin e SHBA-së Donald Trump dhe politikanët e ekstremit të djathtë në Evropë ka pasur një goditje të thellë dhe të qëndrueshme në atraktivitetin e markës Tesla.