Përsëritet historia duke bërë që edhe ky vit të mos përjashtohej sa i përket publikimit para kohe të tezës së Gjuhëve të Huaja, i pari provim i Maturës Shtetërore 2025. Ndërsa mbi 27 mijë maturantë hynë në testim, Varianti B u publikua në rrjetet sociale vetëm 20 minuta nga nisja zyrtare e testit, në orën 10:00. Shpërndarja me shpejtësi në rrjetet sociale ndodhi edhe pse Ministria e Arsimit pati deklaruar masa të rrepta sigurie.







Rregulla gjatë provimit:
Nxënësit duhet të përdorin stilolaps me një ngjyrë dhe kurrë më shumë se një ngjyrë në plotësimin e testit;
Firmosni kur merrni dhe dorëzoni testin;
Kontrolloni testin për pasaktësi ose paqartësi në lexim;
Nuk lejohet largimi para orës 12:30;
Sjellje korrekte dhe vëmendje gjatë testit.
Provimet, përfshirë Gjuhën e Huaj, Gjuhën Shqipe dhe Letërsinë, Matematikën dhe testin me Zgjedhje zhvillohen nga sot e deri më 24 qershor. Gjuha Shqipe dhe Letërisa, në datën 10, Matematika më 17 qershor ndërsa Provimi me Zgjedhje më 24. Ky i fundit ofron gamë të gjerë lëndësh, duke përfshirë: Shkencat e Natyrës: Kimi, Fizikë, Biologji, Shkencat Shoqërore: Histori, Gjeografi, Qytetari dhe Psikologji, Filozofi e Sociologji dhe Ekonomia e Artet: Ekonomi, Histori Arti, Histori Muzike, Histori Baleti.
Për orientimin dhe përgatitjen e maturantëve, testet model për provimet e ardhshme janë shpërndarë shumë më herët në të gjitha shkollat, duke i orientuar nxënësit për formatin e provimeve në mënyrë që të jenë sa më të përgatitur.