Sarah McCormickdale, motra e madhe e ndjerë e Princeshës Diana dhe tezja e Princit William e Princit Harry, ka pësuar një aksident serioz pas një rënieje nga kali.
Lajmi është konfirmuar nga vëllai i saj, Charles Spencer, i cili gjatë një interviste në podcastin “Rosebud” me Giles Brandreth, tregoi se ngjarja ka ndodhur muajin e kaluar dhe se Sarah, 70 vjeç, ndodhet ende në fazë rikuperimi në spital.
Fatmirësisht, ajo po përmirësohet, por ishte një rënie shumë e keqe
– tha Spencer, duke e përshkruar motrën e tij si “një paciente të vështirë”, për shkak të shpirtit të saj të fortë dhe të pavarur.
Ajo është një person vërtet i veçantë
-shtoi ai me humor.
Sipas “Daily Mail”, McCormickdale ka marrë kujdes të specializuar pas aksidentit, ndërsa familja e saj ka qëndruar pranë saj gjatë gjithë periudhës së shërimit.
Pavarësisht moshës, Sarah është njohur për jetën aktive dhe dashurinë ndaj sporteve si kalërimi dhe çiklizmi.
Ajo gjithmonë ka qenë e guximshme. Edhe pse vazhdon të hipë në kalë, kësaj here nuk pati fat
– shtoi Spencer.
Sarah McCormickdale ka ruajtur gjithmonë një lidhje të ngushtë me familjen mbretërore, sidomos pas ndarjes tragjike nga jeta të motrës së saj, Princeshës Diana, në vitin 1997.
Vitin e kaluar, ajo u pa krah për krah me Princin William në një event zyrtar, duke dëshmuar marrëdhënien e fortë dhe të përzemërt me nipërit e saj mbretërorë.
Aktualisht, familja Spencer nuk ka dhënë detaje të tjera mbi gjendjen shëndetësore të saj, por burime pranë familjes bëjnë të ditur se Sarah po rikuperohet ngadalë dhe me kujdes nën mbikëqyrjen e mjekëve.