Aktualitet Rajoni

Thaçi mohon akuzat në Hagë! “Thyhen” Shala dhe Jonuzi, pranojnë akuzën për frikësim të dëshmitarëve

Hashim Thaçi nuk ka dhënë as sot deklaratë lidhur me aktakuzën e re të ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë.

Ish-presidenti i Kosovës u shpreh se nuk paraqet pengesë për asnjë projekt politik dhe kërkoi respektim të Kushtetutës e ligjeve të Kosovës.

“E dini, para 4 vjetësh, në 2020-tën, u ngrit aktakuzë kundër meje, vetëm tre muaj para se të rizgjidhesha president i vendit. Përpara 10 ditëve, nxitimthi Zyra e Prokurorit prezantoi aktakuzë shtesë, vetëm dy muaj para zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë. Duhet të sqaroj edhe njëherë, nuk jam pjesë e garës politike, e as s’kam ndonjë ambicie politike, as për president, as për kryeministër, as për deputet e as ndonjë ambicie tjetër për ndonjë pozitë publike”, – tha ai.

LEXO EDHE:  I akuzuar për korrupsion, Prokuroria e Shkupit kërkon paraburgim për ish-zëvendëskryeministrin!

Të martën as Bashkim Smakaj nuk u deklarua për fajësinë. Gjyqtarja njoftoi se kanë kohë të deklarohen deri më 7 janar, në të kundërtën ajo do të bëjë deklarimin për ta. Përveç Thaçit dhe Smakajt, të akuzuar për të njëjtat vepra penale janë edhe Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi.

Në seancën e kësaj të marte, Dhomat e Specializuara kanë marrë vendim për vazhdimin edhe për dy muaj të paraburgimit për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, për aktakuzën për krime lufte, pjesë e të cilës janë edhe Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Në njoftim thuhet se sjellja e Veselit dhe Thaçit përbën rrezik sa që edhe kufizimet dhe monitorimi i komunikimeve në objektin e paraburgimit nuk mjaftojnë për t’i adresuar ato.

Të martën po ashtu nga Dhomat e Specializuara u njoftua se Haxhi Shala dhe Sabit Januzi kanë pranuar akuzën për frikësimin e një dëshmitari dhe pengim, sipas një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë me Zyrën e Prokurorit të Specializuar.