@ the movies Film & Tv

The Beast In Me – Nga e menduara në të bërë…një rrugë inekzistente!

Është e vështirë të harrosh rreshtin famëkeq shkëputur nga skenari i Scarface:
“Ju keni nevojë për njerëz si unë që të drejtoni gishtat tuaj të mallkuar dhe të thoni… Ai është njeriu i keq! Dhe çfarë ju bën kjo? Të mirë? Ju s’jeni të mirë. Ju vetëm dini të fshiheni dhe të gënjeni. Unë, unë gjithmonë them të vërtetën — edhe kur gënjej!”

 The Beast in Me mban vendin e parë si seriali më i ndjekur i momentit në Netflix, dhe mendoj se zhurma që e ndjek është tërësisht e justifikuar. Ndoshta nuhatje e gabuar, ndoshta e ekzagjeruar, por jam e sigurt se bisedat e bëra në prapaskenë nga regjisorë e skenaristë të njohur së fundmi konsistojnë në “small talk” sa për të kamufluar qëllimin e vërtetë, dhe pasohen nga fjalia: “Ku mbiu ky Gabe Rotter si kërpudhë pas shiut?”

Krijues, skenarist dhe producent i The Beast in Me, Gabe më bëri t’i rikujtoj vetes se ndonjëherë, nëse do që gjithçka të shkojë vaj, bëji të gjitha vetë.

Me dy protagonistë që shërbejnë si emblema e së mirës dhe së keqes, Claire Danes dhe Matthew Rhys janë ajo cka unë quaj përzgjedhje elitare e kast-it.

Shkurtimisht, për t’ju futur “në lojë”: Claire luan rolin e Aggie Wiggs, një shkrimtare e vlerësuar me Pulitzer, e cila e gjen veten të vetmuar dhe bosh në një shtëpi gjigande të blerë me paratë e cmimit, pas vdekjes të së birit në një aksident automobilistik dhe divorcit nga e shoqja Shelley, që erdhi si rrjedhojë. E konsumuar nga bindja e plotë se personi me të cilin u përplas me makinë ishte nën efektin e alkoolit — pavarësisht se testi doli negativ — zija dhe urrejtja e kanë kapluar deri në pikën e “bllokimit të shkrimtarit”. Çdo ditë ajo përballet me djaloshin që ajo e gjen fajtor (Teddy) dhe me dhomën bosh të të birit.

Nga ana tjetër, Nile Jarvis (luajtur nga Rhys- një mogul me pasuri gjeneracionale) është i pashkundur në karizmën e tij, edhe pse e gjithë bota mendon se ai ka vrarë ish-bashkëshorten, e cila la një letër lamtumire që sugjeronte vetëvrasje, por trupi nuk u gjet kurrë. I martuar me ish-sekretaren e së ndjerës, Nile është i konsumuar nga dëshirat e tij momentale, përfshirë atë që i puq udhën me Aggie Wiggs (ndërtimi i një piste vrapi rreth pyllit që rrethon lagjen).

Aggie refuzon, Nile nuk di të heqë dorë. I fundit sugjeron se Aggie duhet të shkruajë një libër për të.
“Njerëzit duan thashetheme dhe kasaphanë,” – këmbëngul Nile, dhe për të qenë të sinqertë… ka të drejtë.

 

Aggie nuk është shkrimtare “tendencash”, por përfundon duke marrë në konsideratë sugjerimin e Nile për dy arsye:

1)    Brian Abbot, një investigues i FBI-së i cili ishte marrë për vite me radhë me zhdukjen e ish-bashkëshortes së Nile-it, shfaqet i dehur në shtëpinë e Aggie-t dhe i thotë të bëjë kujdes, sepse Nile “nuk është si njerëzit e tjerë”.

2)    Në një bisedë e sipër, Nile dhe Aggie lejojnë njëri-tjetrin pak më në brendësi të qenies së tyre. Aggie ndan urrejtjen që ka për Teddy-n (djalin që u aksidentua me të dhe me të birin). Nile sikur “ndizet” nga padrejtësia e perceptuar dhe të nesërmen, Teddy shpallet i zhdukur dhe lë një letër lamtumire. (Përsëritëse apo jo?)

Packa se duken si një “YIN & YANG”, i gjithë debati i serialit rrotullohet rreth ideologjisë:
“It takes one to know one.”
(Në këtë rast: monstra e fjetur brenda Aggie-t takohet me monstrën e zgjuar të Nile.)

 

Është Aktrimi i tyre cka i çon në skajet polare të dy të kundërtave absolute. Aggie beson në drejtësi dhe në të mirën aq shumë sa skuqet kur turpërohet (tregues i cipës). Përpos kritikave që e tallin deri në bullizëm fytyrën qaramanë të Claire Danes-it (mendoj se autorja e kritikës, në një jetë të kaluar, ka pengje me aktoren), mu duk i denjë aktrimi i kësaj të fundit, sepse është pikërisht qasja dramatike që ka për çdo ndodhi, paaftësia e saj për të gënjyer,cka e bën Aggie-n “të mirën” e serialit. Sa herë vihet me shpatulla pas muri nga Nile, kur ai dyshon tek motivet e saj pas shkrimit të librit, Aggie-t i dridhet zëri (është kaq jashtë natyrës së saj të gënjejë).

Në kontrast, Nile është mashtrues patologjik — nga ata që fillojnë besojnë gënjeshtrat e tyre — i aftë mjaftueshëm të gënjejë edhe vetë audiencën.

E pamë me The Ed Gein Story dhe sërish me The Beast in Me — “fandaksjen masive” me monstrat.

Duket sikur është në natyrën njerëzore të eksitohet nga ata që veprojnë mbi mendimet e errëta.

Rikthehem tek rreshtat e Scarface që ju rikujtova në fillim. A ka një diferencë mes një monstre që del hapurazi e thotë “Unë jam njeri i keq” dhe dikujt që brenda fsheh ligësi, por ka një maskë të bukur?

I qëndroj larg referencave teologjike, por moralisht në Bibël, shumë vargje sugjerojnë se të mendosh për një krim (ose edhe thjesht të kesh urrejtje në zemër) është njësoj si ta kryesh atë (ekuivalent me vrasjen).