Gossip Showbiz

Tom Brady dhe Sydney Sweeney nxisin thashethemet për një romancë të re në dasmën e Jeff Bezos?

Tom Brady dhe aktorja e njohur Sydney Sweeney kanë ngritur temperaturat e mediave rozë, pasi janë parë shumë pranë njëri-tjetrit në dasmën madhështore të Jeff Bezos dhe Lauren Sanchez në Venecia.

Sipas raportimeve nga “DailyMail”, të ftuarit në festë vunë re se Brady dhe Sweeney kaluan mbrëmjen duke kërcyer së bashku deri në orët e vona të natës – konkretisht deri në orën 2 të mëngjesit.

Të nesërmen, ata u panë sërish bashkë, këtë herë duke shëtitur në rrugicat romantike të qytetit italian, të shoqëruar edhe nga aktori Orlando Bloom.

Burime pranë çiftit thonë se legjenda 47-vjeçare e NFL-së u duk veçanërisht i afërt me Sweeney-n, 27 vjeç, e cila kohët e fundit është ndarë nga i fejuari i saj Jonathan Davino.

Edhe pse deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për një lidhje mes tyre, afërsia dhe momentet e kapura nga kamerat kanë mjaftuar për të ndezur rrjetet sociale me spekulime.

Fansat janë ndarë mes habisë dhe entuziazmit, duke komentuar jo vetëm mbi përputhshmërinë e mundshme mes tyre, por edhe mbi diferencën e dukshme në moshë dhe mënyrën e jetesës.

Nëse kjo romancë konfirmohet, Brady dhe Sweeney mund të bëhen pa dyshim një nga çiftet më të komentuara të vitit në showbiz-in ndërkombëtar.