Aktualitet

Trafik armësh nga Kosova në Shqipëri, 10 të arrestuar dhe 2 në kërkim!

Goditet grupi që trafikonte armë nga Kosova në Shqipëri. Policia e Tiranës bëri të ditur se 10 persona u arrestuan ndërsa dy të tjerë u shpallën në kërkim, pasi trafikonin armë nga Kosova me destinacion kryeqytetin shqiptar. Uniformat blu sekuestruan 14 armë zjarri, 2 mijë e 77 fara cannabisi, krehra dhe municion luftarak, tre automjete e tetë celularë.  Nga hetimet ka rezultuar se pjesëtarë të këtij grupi, siguronin armë në Kosovë e në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe i shisnin në Tiranë.

 Në kuadër të operacionit bazuar në informacionet e siguruara nga hetimi për disa shtetas që dyshohej se trafikonin armë zjarri, kryesisht nga Kosova në Tiranë, me qëllim shitjen, janë vënë në pranga shtetasit: E. T., 32 vjeç, L. H., 21 vjeç, F. B., 26 vjeç, R. H., 21 vjeç, V. M., 23 vjeç, K. F., 18 vjeç, G. M., 22 vjeç dhe A. Sh., 23 vjeç. Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit R. K., 41 vjeç dhe A. N., 24 vjeç.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, pasi siguronin armë zjarri  kryesisht në Kosovë por dhe në qytete të ndryshme të Shqipërisë, i sillnin ato në Tiranë, për t’i shitur.

Gjatë periudhës hetimore, në kuadër të këtij procedimi, më datë 01.04.2025, janë ndaluar shtetasit A. P dhe K. P., pasi u kapën në flagrancë me 2 armë zjarri, të dyshuara të trafikuara nga Kosova, me qëllim shitjen në Tiranë.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit K. F, shërbimet e Policisë gjetën e sekuestruan 2077 fara cannabisi.

Punohet për kapjen e shtetasve në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.