Aktualitet

Trafik droge, arrestohet 20-vjeçari nga Ballshi/Kërkohet nga drejtësia italiane!

Në aksin rrugor Fier-Vlorë u arrestua shtetasi Olsi Kapllanaj nga Ballshi. 20 vjeçari rezulton i dënuar nga drejtësia italiane për trafik droge, në kuadër të një organizate kriminale. I riu ishte shpallur në kërkim pasi gjykata në L’Aquila i ka vendosur masën e sigurisë “Arrestit me burg”. Në njoftimin zyrtar thuhet se po vijon bashkëpunimi për ekstradimin e tij drejt Italisë.

Njoftimi i policisë:

Policia e Shtetit/Operacione policore të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve që i fshihen në Shqipëri, akuzave të drejtësisë italiane. Finalizohet operacioni policor i koduar “Operacionalja 51”.

Operacioni, nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, për kapjen e pjesëtarit të një organizate kriminale në Itali.

Si rezultat i bashkëpunimit shumë të ngushtë me strukturat e Policisë italiane, të koordinuar nga rrjeti ndërkombëtar ENFAST, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale kapën në aksin rrugor “Fier-Vlorë”, shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar, O.K., 20 vjeç, banues në Ballsh.

Gjykata në L’Aquila i ka caktuar këtij shtetasi, masë sigurie “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale, vepër për të cilën Kodi Penal italian parashikon maksimum dënimi, 24 vjet burgim.

Vijon bashkëpunimi për të finalizuar ekstradimin e 20-vjeçarit, në Itali.