Trafiku ajror në Lindjen e Mesme vazhdon i bllokuar teksa Irani vijon kundërpërgjigjen duke lëshuar raketa dhe dronë drejt Izraelit e vendeve të tjera të rajonit ku gjenden baza ushtarake amerikane.
Shumë vende perëndimore po përpiqen t’i evakuojnë mijëra shtetas të tyre që kanë mbetur të bllokuar në rajon pas nisjes së fushatës së gjerë ajrore nga Uashingtoni dhe Tel Avivi, më 28 shkurt.
Departamenti amerikan i Shtetit tha se fluturimi i parë për evakuimin e shtetasve amerikanë u realizua sot nga Lindja e Mesme, por nuk dha hollësi të tjera.
NATO dënon Iranin
Aleanca ushtarake e NATO-s dënoi Iranin pasi sistemet e aleancës perëndimore ndaluan një raketë balistike iraniane para se të hynte në hapësirën ajrore të Turqisë.
NATO qëndron në krah të të gjithë aleatëve, përfshirë Turqinë, teksa Irani i vazhdon sulmet pa dallim në gjithë rajonin, tha zëdhënësja e aleancës, Allison Hart. Kapacitetet e parandalimit dhe mbrojtjes së NATO-s mbeten të forta në të gjitha fushat, përfshirë mbrojtjen ajrore e nga raketat.
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, foli me ministrin e Jashtëm turk, Hakan Fidan, për zhvillimet e fundit në Iran dhe në gjithë Lindjen e Mesme.
Sipas tij, Rubio i tha Fidanit se sulmet ndaj territorit sovran të Turqisë janë të papranueshme dhe premtoi mbështetje të plotë nga Shtetet e Bashkuara.