Rajoni

Tragjedi detare me emigrantë në Greqi!

Në Greqi, të paktën tre persona humbën jetën pas një aksidenti me një varkë pranë ishullit të Kretës. Viktimat besohet të jenë emigrantë nga Libia që po përpiqeshin të kalonin nga shteti fqinj, për në një vend të Bashkimit Europian.

Sipas transmetuesit grek “ERTNews”, 20 vetë u shpëtuan. Një portal grek raportoi se dhjetëra të tjerë rezultojnë të zhdukur. Autoritetet kanë ndërmarrë operacione të gjera kërkimi e disa anije po marrin pjesë.

Gjithçka ndodhi rreth 15 milje detare në jug të zonës Kaloi Limenes, në pjesën jugore të ishullit turistik, në kushte të vështira atmosferike, me erëra të forta jugore që po e komplikojnë operacionin e shpëtimit.

Grupet e trafikimit të qenieve njerëzore shpesh transportojnë refugjatë nga Libia dhe Turqia drejt Kretës ose ishujve grekë në Detin Egje.

Sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët UNHCR, rreth 42 mijë emigrantë shkuan në ishujt grekë nga deti në vitin 2025, ndërsa 107 persona humbën jetën në Mesdheun lindor.

Autoritetet greke besojnë se numri real i viktimave është më i lartë, pasi shumë raste nuk raportohen. Rreth dy javë më parë, 15 emigrantë humbën jetën në një tjetër aksident pranë ishullit grek të Kiosit.