Aktualitet

Tragjedi në Itali, shqiptari vret shqiptarin!

Ende pa u shuar jehona e ngjarjes së rëndë në Itali ku një e re shqiptare, Ilaria Sula u masakrua nga partneri filipinas, nga vendi fqinj vjen një tjetër lajm tragjik me protagonistë shqiptarë. Një 43-vjeçar u vra me armë zjarri nga një bashkatdhetar, mbrëmë rreth orës 21:30 në një lokal në zonën Fontanafredda.

Sipas asaj që bëjnë me dije mediat italiane, viktima është identifikuar si shtetasi Vladimir Topjana, i cili kishte dalë për të parë ndeshjen Roma-Juventus në një lokal, i shoqëruar nga djali i tij 17-vjeçar. Ndërkaq, raportohet se autori i dyshuar është një 30-vjeçar shqiptar, i cili iu afrua lokalit pasi zbriti nga një “Audi” dhe në debat e sipër me Topjanën, e ka qëlluar me armë zjarri duke i marrë jetën.

Klientët e lokalit ku ndodhi konflikti kanë tentuar të ndajnë dy shqiptarët, por përpjekjet rezultuan të kota pasi 30-vjeçari nxori armën dhe qëlloi tre herë bashkëkombasin. Një plumb e kapi në pjesën e kokës. Autori tentoi arratisjen, por u kap rreth mesnate nga policia italiane që nisi hetimet për të hedhur më shumë dritë rreth ngjarjes së rëndë.