Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pak ditë para koncertit të shumëpritur të Shakira në Brazil, ku një punëtor ka humbur jetën gjatë ndërtimit të skenës.
Lajmi është konfirmuar nga organizatorët e serisë së koncerteve “Todo Mundo no Rio”.
Aksidenti ndodhi të dielën, më 26 prill, në Copacabana Beach, vendi ku këngëtarja kolumbiane pritet të performojë më 2 maj.
Në një deklaratë publike, organizatorët bënë të ditur se profesionisti po punonte në montimin e strukturave të shfaqjes kur ndodhi incidenti fatal.
Ekipet e emergjencës ndërhynë menjëherë dhe i dhanë ndihmën e parë në vendngjarje, ndërsa më pas ai u transportua në spital.
Fatkeqësisht, punëtori nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë pak më vonë.
Organizatorët shprehën ngushëllimet dhe mbështetjen e tyre për familjen e viktimës, si edhe për kompaninë përgjegjëse dhe stafin e përfshirë në punime.
Një dëshmitar okular tregoi se gjithçka ndodhi papritur. Sipas tij, njerëzit nisën të vraponin sapo panë se një pjesë e strukturës ishte shembur në tokë, ndërsa më pas u mësua se një person kishte mbetur poshtë saj.
Shakira u shpall artistja kryesore e këtij viti për “Todo Mundo no Rio” në muajin shkurt, ndërsa eventi pritet të mbledhë miliona spektatorë në Rio de Janeiro.
Më herët këtë vit, artistja mblodhi rreth 400 mijë persona në koncertin falas në Mexico City, duke vendosur rekord pjesëmarrjeje.