Tre policët e Kosovës të arrestuar nga forcat serbe më 14 qershor, u liruan. Avokati nga Beogradi, Gradimir Naliç, i cili i përfaqësoi, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se iu është hequr paraburgimi dhe se “po lirohen”. Naliç tha se aktakuza kundër tyre u konfirmua, por do të mbrohen në liri.
Policët do të kthehen në Kosovë. Eshtë në interesin e klientëve të mos jap më shumë informacione.
Gjykata e Lartë në Kralevë, qytet në pjesën qendrore të Serbisë ku po mbaheshin tre policët konfirmoi ndërprerjen e masës së paraburgimit kundër tyre. Drejtësia në Serbi i akuzoi për prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim të paligjshëm të armëve e lëndëve plasëse. Nëse shpalleshin fajtorë do të rrezikonin dënim me burg deri në 12 vjet heqje lirie.
Atyre iu dha masa e paraburgimit më 16 qershor, por nuk ishte e qartë kohëzgjatja e saj. Arrestimi nxiti reagime të shumta si në Kosovë, ashtu edhe te bashkësia ndërkombëtare, që vazhdimisht kërkoi lirimin e tyre. Qeveria Kurti pretendoi se u arrestuan në territorin e Kosovës e foli për “rrëmbim”, por në Serbi e mohuan këtë.
Orban: E vlerësojmë hapin e Vuçiçit
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, i cili javën e kaluar bisedoi me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç për rastin e tre policëve, tha se lidhur me kërkesën që i bëri, ai e informoi se autoritetet serbe do t’i lirojnë tre policët e Kosovës. Në një postim në Twitter shkruan:
Ne e vlerësojmë lart hapin e presidentit Vuçiç, i cili e mori vendimin në një kohë sfidash serioze. Ky vendim është dëshmi e pastër e bashkëpunimit strategjik mes shteteve tona dhe përkushtimit tonë të përbashkët për paqe dhe stabilitet në Ballkan.
Në takimin e mbajtur më 20 qershor, Orban tha se iu lut Vuçiçit t’i lirojë tre zyrtarët e policisë, duke u shprehur se “armiqtë e Serbisë janë të etur për ta dëmtuar shtetin serb”.