Aktualitet

Tregtia Shqipëri-SHBA, si mund të ndikojnë tarifat?

Megjithëse me distancë të largët, Amerika është partnere tregtare e rëndësishme e vendit tonë. Vitin e kaluar, SHBA-të u renditën të pestët për nga vlera e importeve dhe të 13-ët për eksportet. Importet amerikane shënuan 20.5 miliardë lekë më 2024-ën, duke u rritur me 19% nga viti 2023. Katër vitet e fundit, importet nga SHBA-të janë rritur me 104% në vlerë.

Vitin e kaluar, SHBA-të ishin furnizues kryesor të Shqipërisë me mallra, bashkë me Italinë, Kinën, Greqinë dhe Gjermaninë. Madje, importet nga SHBA-të ishin më të larta në vlerë edhe se të Kosovës. Importet amerikane zunë 2.3% të totalit të importeve më 2024-ën.

Gjithashtu, tregu amerikan është i rëndësishëm për eksportet tona, pasi në mënyrë të drejtpërdrejtë e të tërthortë (nëpërmjet Gjermanisë), Shqipëria çon bimët mjekësore në tregjet amerikane. Vitin e kaluar, eksportet e Shqipërisë drejt SHBA-ve arritën 7 miliardë lekë, me rënie vjetore 27%, si rrjedhojë e dobësisë që pësuan në përgjithësi eksportet tona nga dobësimi i euros.

Importet nga SHBA-të dominohen nga mjetet e transportit dhe lëndët djegëse. Në anën tjetër, eksportet shqiptare në SHBA dominohen nga giza, çeliku, bimët mjekësore, alumini, mobileri, produkte ushqimore, etj. Politika tarifore që po ndjek administrata e re në SHBA mund të ndikojë Shqipërinë tërthorazi sesa nga mallrat që tregtohen drejtpërsëdrejti.

Ekspertët e ekonomisë besojnë se lufta tregtare mund të sjellë një valë të re çmimesh në tregjet globale, nga të cilat Shqipëria mund të ekspozohet tërësisht. Tregtia e Shqipërisë me SHBA-të zuri 2.1% të volumit tregtar me jashtë, vitin e kaluar, duke mbetur e pandryshuar në dekadën e fundit.

Meqenëse Amerika është bërë tregu më i rëndësishëm i eksportit për BE-në gjatë dekadës së fundit, ndikimi negativ i tarifave të larta të SHBA-ve mbi mallrat dhe shërbimet europiane do të jetë i rëndësishëm për shtetet e Europës Lindore, siç analizon Instituti për Studime Ekonomike i Vjenës.

Ndërsa flukset e drejtpërdrejta tregtare mes rajonit tonë dhe SHBA-ve janë të kufizuara, kërkesa më e ulët për produkte industriale europiane do të ndikojë negativisht Europën Qendrore dhe Lindore. Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas bëri thirrje për të reaguar me qetësi dhe maturi ndaj kërcënimeve të presidentit Trump me tarifa:

Ne kemi nevojë për Amerikën dhe Amerika ka nevojë për ne gjithashtu. Në luftërat tregtare nuk ka fitues.

Të shtunën e kaluar, Trump shpalli një dekret për tarifa doganore shtesë prej 25% për prodhimet nga Kanadaja dhe Meksika e 10% për produktet kineze. Trump i kërcënoi sërish europianët me masa të ngjashme. I pyetur për tarifat tregtare për vendet e Bashkimit Europian, deklaroi:

Kjo do të ndodhë patjetër. Nuk kemi ende një plan kohor, por do të ndodhë shumë shpejt.

Pavarësisht nga kjo retorikë e ashpër, ende mbetet e paqartë nëse SHBA-të do të vendosin vërtet tarifa doganore ndëshkuese kundër BE-së. Në këtë rast, tarifat doganore mund ta dëmtojnë rëndë Gjermaninë, sidomos industrinë e automobilave./Monitor