Një garë kryevepër arriti të realizonte Max Verstappen në ndalesën e radhës së Botërorit të Formula 1, për Çmimin e Madh të Las Vegasit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në Nevada, piloti holandez i Red Bullit fitoi garën e tij të gjashtë sezonale e të 69-ën në karrierë teksa sheh të rikthehet plotësisht në garë për titullin.
Për këtë, shkak u bë edhe skualifikimi i dy pilotëve të McLaren-it, Lando Norris e Oscar Piastri pas një parregullsie teknike, me britanikun i cili e mbylli garën në vendin e dytë dhe australianin, në të katërtin. Nga skualifikimi i tyre duhet thënë se përfituan dy pilotët e Mercedes-it, George Russell e Andrea Kimi Antonelli, të cilët plotësuan podiumin e kësaj gare.
Vetëm në një të dhjetën e sekondës, italiani la jashtë podiumit Charles Leclerc-un, i cili duhet të kënaqet me vendin e katërt, ndërsa piloti tjetër i Ferrarit, Lewis Hamilton u rendit në vendin e tetë, me 7 herë kampionin e botës që e nisi garën nga vendi i fundit.
Pas Çmimit të Madh të Las Vegasit, tashmë lufta për titullin për pilotë ndizet akoma më shumë edhe për faktin se diferencat janë ngushtuar ndjeshëm. Lando Norris vazhdon që të jetë në krye me 390 pikë, i ndjekur nga Piastri e 28 vjeçari Verstappen, që të dy me 24 pikë më pak, secili në kuotën e 366 pikëve.