Bota

Tronditet futbolli, futbollisti Mario Pineida qëllohet për vdekje!

Një tragjedi ka tronditur futbollin amerikano-jugor duke hedhur një hije shqetësuese mbi spiralen e dhunës që ka përfshirë Ekuadorin. Mario Pineida, një mbrojtës 33 vjeçar i Barcelonës Sporting Club dhe ish-lojtar i Kombëtares, u vra brutalisht në një sulm me armë që mbante të gjitha shenjat e një ekzekutimi të synuar. Lajmi u përhap shpejt në të vend, duke tronditur tifozët dhe njerëzit e brendshëm të industrisë.

Tragjedia ndodhi në lagjen Samanes 4, në pjesën veriore të Guayaquil-it. Sipas raportimeve fillestare nga Policia Kombëtare, që menjëherë rrethoi vendin e krimit dhe nisi një hetim, Pineida ishte jashtë një dyqani mishi kur u sulmua.

Një komando me vrasës të armatosur hapi zjarr mbi të dhe një person tjetër. Futbollisti vdiq menjëherë nga plumbat, ndërsa viktima e dytë u plagos. Konfirmimi zyrtar i identitetit erdhi menjëherë nga Ministria e Brendshme.

Pineida ishte emër i njohur dhe i respektuar në futbollin vendas, një mbrojtës i majtë me shumë përvojë me disa paraqitje, përfshirë edhe për ekipin “Trikolor”. Klubi i tij, Barcelona SC, reagoi me tronditje, duke lëshuar një deklaratë ku shprehte ngushëllime të thella dhe ftoi tifozët të bashkoheshin në lutje për familjen.

Kjo vrasje për fat të keq nuk është një rast i izoluar, por kapitulli i fundit në një përshkallëzim të përgjakshëm kriminal që e ka gjunjëzuar Ekuadorin në muajt e fundit, duke synuar gjithnjë e më shumë figura publike dhe atletë, të cilët janë bërë shënjestra në një klimë pasigurie totale.