Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, njoftoi planet e tij për të ri-klasifikuar dhjetëra mijëra punonjës federalë si “punonjës sipas nevojës” nën një kategori të re, respektivisht në kategorinë “Politika e programit/karriera”, që do t’i lejojë agjencitë të pushojnë nëpunësit civilë që nuk përputhen me agjendën e tij politike.
Pas urdhrit tim ekzekutiv të Ditës së Parë, Zyra e Menaxhimit të Personelit do të nxjerrë rregullore të reja të Shërbimit Civil për punonjësit e karrierës në qeveri, njoftoi Trump në platformën Truth Social. Punonjësit e karrierës në qeveri, që punojnë në çështjet e politikave do të klasifikohen si “Politika e programit/karriera” dhe do të mbahen sipas standardeve më të larta të sjelljes dhe performancës, shkroi Trump.
Kjo lëvizje ringjall dhe zgjeron iniciativën e mëparshme të Trumpit “Programi F” (Schedule F), duke vënë në shënjestër heqjen e mbrojtjes së shërbimit civil nga rolet e lidhura me politikat. Një njoftim i Shtëpisë së Bardhë tha se ndryshimi do të prekë rreth 50 mijë punonjës ose 2% të fuqisë punëtore federale e do të përmbysë mbrojtjen e periudhës së ish-presidentit Joe Biden.
Rregulli i ri do t’i lejojë agjencitë të pushojnë punonjësit “pa qasje në procedurat e rënda të veprimit negativ ose apelime”, duke i vënë në shënjestër me “detyra përcaktuese të politikave, politikbërjes, mbrojtjes së politikave ose detyrave konfidenciale”.
Nëse këta punonjës të qeverisë refuzojnë të avancojnë interesat e politikave të presidentit ose po angazhohen në sjellje korruptive, ata nuk duhet të kenë më një punë. Kjo është arsyeja e shëndoshë dhe do të lejojë që qeveria federale të drejtohet më në fund si një biznes.