Bota

SHBA, Administrata Trump po shqyrton shkarkimin e kryetarit të Rezervës Federale!

Donald Trump dhe administrata e tij po shqyrtojnë shkarkimin e kryetarit të Rezervës Federale, Jerome Powell nga posti i tij, tha sot këshilltari kryesor ekonomik i Shtëpisë së Bardhë.

 “Presidenti dhe ekipi i tij do të vazhdojnë të shqyrtojnë çështjen” e shkarkimit të Jerome Powell, u tha gazetarëve drejtori i Këshillit Ekonomik Kombëtar Kevin Hassett, ndërsa Donald Trump të mërkurën dhe të enjten përsëriti sulmet e tij ndaj shefit të Fed për politikën e tij të normave të interesit.

Në deklaratat që bëri për gazetarët gjatë takimit të tij me Giorgia Meloni, presidenti amerikan tregoi se ai beson se ka autoritetin për të hequr Powell nga posti i tij.

 “Ai do të largohet. Ai do të largohet prej andej”, tha Trump në Zyrën Ovale. Më tej ai vazhdoi duke thënë “Unë nuk mendoj se ai po bën punën e tij. Është tepër vonë. Ai është pak i ngadalshëm dhe nuk jam i kënaqur me të. Unë e lë të kuptojë dhe nëse dua që ai të largohet, ai do të largohet shumë shpejt”.

Komentet e presidentit republikan erdhën pasi Powell tha të mërkurën në një ngjarje ekonomike në Çikago se administrata Trump ka bërë “ndryshime shumë thelbësore të politikave”, duke përfshirë tarifa gjithëpërfshirëse që janë “dukshëm më të mëdha se sa pritej”.

Powell vuri në dukje prerazi se heqja e një kryetari të Fed “nuk lejohet me ligj” dhe deklaroi se ai synon të mbarojë pjesën e mbetur të mandatit të tij.