Presidenti Donald Trump tha se SHBA do ta zgjaste armëpushimin me Iranin derisa të paraqitet një propozim iranian dhe të përfundojnë diskutimet.
“Duke pasur parasysh natyrën jo të papritur, shumë të fragmentuar të qeverisë iraniane, dhe në përgjigje të kërkesës së Feldmarshal Asim Munir dhe Kryeministrit Shehbaz Sharif të Pakistanit, na është kërkuar të pezullojmë sulmin tonë ndaj Iranit derisa udhëheqësit dhe përfaqësuesit e tij të jenë në gjendje të formulojnë një propozim të unifikuar”, njoftoi Trump në Truth Social.
“Prandaj, unë i kam udhëzuar Forcat tona të Armatosura të ruajnë bllokadën (e Ngushticës së Hormuzit) dhe përndryshe të mbeten të gatshme dhe operacionale; në përputhje me rrethanat, unë do ta zgjas armëpushimin derisa të paraqitet propozimi i tyre dhe të përfundojnë diskutimet, në një mënyrë ose në një tjetër”, deklaroi presidenti i SHBA-së.
Por kjo, shihet nga Teherani si një manovër taktike për të përgatitur një sulm të ri.
Mahdi Mohammadi, këshilltar i kryetarit të parlamentit iranian Mohammad Bagher Ghalibaf, deklaroi se vendimi i Uashingtonit është “një strategji për të blerë kohë” përpara një “sulmi surprizë”. Ai theksoi se është momenti që pala iraniane të “marrë iniciativën”.
Sipas tij, zgjatja e armëpushimit “nuk do të thotë asgjë”, ndërsa bllokada e porteve iraniane nga forcat amerikane është “e barabartë me bombardimet” dhe duhet të përballet me “hakmarrje ushtarake”.
Ndërkohë, një burim iranian i tha Reuters se Teherani është i gatshëm për negociata me SHBA-në, por vetëm nëse Uashingtoni heq dorë nga presioni dhe kërcënimet, si dhe nga kërkesa për “dorëzim pa kushte”.
Autoritetet iraniane dënuan gjithashtu kapjen e dy anijeve tregtare nga forcat amerikane, duke e cilësuar veprimin si “pirateri në det” dhe “terrorizëm shtetëror”.