Presidenti amerikan Donald Trump do të takohet këtë të mërkurë, më 16 korrik, me kryeministrin e Katarit, Sheik Mohammed bin Abdulrahman Al-Thani, në Shtëpinë e Bardhë. Takimi, i konfirmuar zyrtarisht nga presidenca amerikane, ka si qëllim shtyrjen përpara të përpjekjeve për një marrëveshje armëpushimi në Gaza dhe lirimin e pengjeve që mbahen nga Hamasi.
Trump do të presë liderin e Katarit edhe në një darkë zyrtare që do të zhvillohet në orën 19:00 me orën lokale, si pjesë e një vizite që shihet si thelbësore për diplomacinë e momentit në Lindjen e Mesme.
Ndërkohë, negociatorët e Izraelit dhe të Hamasit ndodhen në Doha të Katarit që nga 6 korriku, duke zhvilluar raundin më të fundit të bisedimeve për një marrëveshje armëpushimi. Propozimi mbi të cilin po diskutohet, i mbështetur nga SHBA, parashikon një armëpushim 60-ditor, lirimin gradual të pengjeve, tërheqjen e ushtrisë izraelite nga disa zona të Gazës dhe nisjen e negociatave për zgjidhje të konfliktit.
Nga ana izraelite, sipas Times of Israel, është paraqitur një propozim i ri në negociatat e ndërmjetme, ku kërkohet që Hamasi të tërhiqet nga më shumë zona të Rripit të Gazës se sa është pranuar deri më tani. Kjo është konsideruar si çelësi që mund të shtyjë edhe tërheqjen e ushtrisë izraelite, megjithatë Hamasi vazhdon të refuzojë një tërheqje të tillë.
Qeveria e Benjamin Netanyahut deri më tani ka këmbëngulur që trupat izraelite të mbeten të dislokuara në zona të gjera, përfshirë një zonë neutrale 3 kilometra përgjatë kufirit me Egjiptin dhe në korridorin Morag, që ndan qytetet Rafah dhe Khan Yunis.
Ndërkohë, Hamasi kërkon që Izraeli të tërhiqet në pozicionet që kishte para përfundimit të armëpushimit të fundit në mars.
Sipas burimeve diplomatike arabe, propozimi më i fundit parashikon që Izraeli të kufizojë praninë ushtarake në një zonë neutrale 2 kilometra përgjatë kufirit jugor pranë Rafahut. Megjithatë, burimi thekson se është e paqartë nëse kjo ofertë do të pranohet dhe nëse do të sjellë progres konkret.