Presidenti amerikan, Donald Trump tha se Teherani “mund të na thërrasë” nëse dëshiron negociata, por shtoi se fillimisht, iranianët duhet të heqin dorë nga planet për të krijuar armë bërthamore, në të kundërtën “nuk ka arsye për takim”.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, njëherazi kryenegociator i Iranit, po qëndron në Shën Pjetërburg, ku sot takohet me presidentin rus, Vladimir Putin. Kjo teksa bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, të ndërmjetësuara nga Pakistani, vazhdojnë të mjegulluara.
Nëse dëshirojnë të negociojnë, mund të vijnë te ne apo mund të na thërrasin. Ekziston telefoni. Kemi linja të mira, të sigurta, tha Trump për televizionin Fox.
Ata e dinë se çfarë duhet të ketë në marrëveshje. Është shumë e thjeshtë. Ata nuk mund të kenë armë bërthamore, në të kundërtën nuk kemi asnjë arsye për t’u takuar.
Teherani ka insistuar gjithmonë që programin bërthamor e ka vetëm për qëllime civile, ndonëse Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli e akuzojnë se përpiqet që fshehurazi të ndërtojë armë bërthamore.
Trump i kërkon Teheranit ta ndalë programin e pasurimit të uraniumit, që mund të përdoret për të krijuar bombë e se tashmë vendi e ka tejkaluar furnizimin me këtë element. Irani refuzon.
Agjencia e lajmeve Axios, dje raportoi se duke punuar me ndërmjetës pakistanezë, Irani i ka dorëzuar Shteteve të Bashkuara propozimin e ri, sipas të cilit Ngushtica e Hormuzit do të rihapet e do të hiqet bllokada amerikane në portet iraniane, ndërsa negociatat për programin bërthamor iranian, të mbahen më vonë.
Në këtë material citohen një zyrtar amerikan dhe dy burime të afërta me zhvillimet e fundit.