Përfaqësuesja e Lartë e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Kaja Kallas, sot viziton Shqipërinë. Në Tiranë, Kallas takohet në orën 08:50 me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, në Presidencë. Më pas, i drejtohet Kryeministrisë, ku do të pritet në takim nga kryeministri Edi Rama.
Pas takimit mes tyre, në orën 10:10, në sallën COD, në Kryeministri, zhvillohet firmosja e marrëveshjes për financimin e hekurudhës Durrës-Rrogozhinë, pjesë e Korridori VIII. Pas firmosjes së marrëveshjes, në orën 10.25, mbahet edhe një konferencë për shtyp.
Më tej, Kallas do të zhvillojë takime me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani dhe ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu. Gjithashtu do të marrë pjesë në forumin e dialogut Shqipëri-BE për Politikën e Sigurisë e në ceremoninë e marrëveshjes me Bankën Evropiane të Investimeve. Një ligjëratë në Shtëpinë e Evropës, pjesë e axhendës.
Në kuadër të turit të saj të parë ballkanik, fillimisht, Kallas u ndal në Malin e Zi. Pas Shqipërisë, pritet të udhëtojë drejt Bosnjë-Hercegovinës.
Bashkimi Europian është duke i zbërthyer gabimet në dialogun e Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që t’i japë gjallëri procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje”. Kjo u theksua në Podgoricë nga shefja e Politikës së Jashtme të Bllokut, Kaja Kallas. E pyetur për ngecjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Kallas tha:
Ajo çfarë po bëjmë këtë muaj është analizimi, së bashku me të dërguarin e BE-së për dialogun, Peter Sorensen, i cili e mori detyrën në shkurt. Çfarë është me rëndësi për neve është normalizimi i marrëdhënieve, sepse pa këtë, asnjëra nga to nuk mund të ecë përpara ne rrugën drejt Bashkimit Europian.
Kallas nuk dha më shumë hollësi se cilat mendon që ishin gabimet apo çfarë nuk ka shkuar deri tani në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku. Me dialogun e zhvilluar ndër vite dhe nënshkrimin e marrëveshjeve, procesi ka ngecur dhe tensionet janë rritur.
Nën ndërmjetësimin e BE-së, në vitin 2023, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve. Por, prej atëherë, blloku i ka kritikuar që të dyja vendet se nuk e kanë zbatuar marrëveshjen pavarësisht se është e detyrueshme për to.