Gjatë konferencës për media, së bashku me kryeministrin e Malit të Zi, Millojko Spajiç, kryediplomatja europiane, Kaja Kallas tha se Mali i Zi ka shënuar përparim në rrugën drejt Bashkimit Europian, por se ende mbetet shumë për t’u bërë dhe se fokusi duhet të qëndrojë te reformat.
E përshëndes përkushtimin sepse për procesin e anëtarësimit nevojiten reforma. E dimë se nuk ka rrugë të shkurtëra, reformat duhet të zbatohen. E përshëndes marrëveshjen me opozitën që i mundëson Kuvendit të vazhdojë punën.
Kallas shprehu falënderim që Mali i Zi e mbështet Rezolutën e Kombeve të Bashkuara për Ukrainën dhe që e respekton integritetin territorial të saj:
Eshtë shumë e rëndësishme të qëndrojmë besnikë ndaj këtyre vlerave. E dimë se mund të llogarisim në përkrahjen e Malit të Zi.
Kryeministri malazez Spajiç tha se viti i kaluar ishte më i suksesshmi sa i përket integrimeve europiane të Malit të Zi.
Mali i Zi nuk ka dilema, Bashkimi Europian është rruga jonë strategjike dhe nuk ekziston asgjë që mund të na largojë nga ajo. Mali i Zi është lider në procesin e integrimeve europiane. Shpresoj që këtë vit të mbyllim edhe disa kapituj negociues me BE-në. Viti i kaluar ishte shumë i suksesshëm. Faleminderit për mbështetjen dhe gjithçka që bëni për ne!
Kallas pati takim edhe me presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviç, për marrëdhëniet ndërmjet BE-së dhe Malit të Zi, drejtimin strategjik të vendit e përparimin në procesin e anëtarësimit në BE.
Sipas paralajmërimeve, shefja e diplomacisë së BE-së do të takohet edhe me ambasadorët e vendeve anëtare të Unionit e do të zhvillojë një takim me përfaqësues të shoqërisë civile në Podgoricë.
Eshtë paralajmëruar gjithashtu se Kallas do të paraqesë në aeroportin ushtarak në Podgoricë mbështetjen e BE-së në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë dhe, në prani të ministrit të mbrojtjes, Dragan Krapoviç, do të prezantojë paketën e mbështetjes për Ushtrinë e Malit të Zi nga Fondi Europian për Paqe.
Mali i Zi është në negociata për anëtarësim me Bashkimin Europian prej gati 13 vjetësh. Deri më tani, nga gjithsej 33 kapituj, ka mbyllur gjashtë. Pritet që edhe disa kapituj të mbyllen në takimin e qershorit të Konferencës Ndërqeveritare në Bruksel. Deri në fund të vitit, sipas paralajmërimeve të kryenegociatorit me BE-në, Predrag Zenoviç, mund të mbyllen deri në nëntë kapituj.