Sport

U la jashtë listës së Brazilit për miqësoret e marsit, Neymar ‘shpërthen’ ndaj Ancelottit: Nuk mund të hesht për këtë

Ylli brazilian Neymar ka shprehur zhgënjimin e tij pasi nuk u përfshi në listën e Kombëtares së Brazilit për ndeshjet miqësore ndaj Francës dhe Kroacisë, të përzgjedhura nga trajneri Carlo Ancelotti.

Sulmuesi u shpreh hapur për ndjenjat e tij, duke theksuar se vendimi e ka prekur emocionalisht.

“Jam i mërzitur dhe i trishtuar që nuk jam thirrur. Nuk mund të hesht për këtë,” deklaroi ai për MadHouseTV, pas një ndeshjeje në Kings League.

Megjithatë, Neymar theksoi se mbetet i përqendruar në rikthimin e formës optimale fizike dhe në objektivat afatgjata.

“Fokusi im mbetet i njëjtë: ditë pas dite, stërvitje pas stërvitjeje dhe ndeshje pas ndeshjeje,” u shpreh ai, duke shtuar se lista përfundimtare për kompeticionet e ardhshme është ende e hapur.

Pavarësisht zhgënjimit, lojtari i Santos nuk e ka humbur besimin se do të rikthehet në Kombëtare dhe të jetë pjesë e ekipit për Kupën e Botës.

“Ëndrra është ende gjallë. Ne do ta arrijmë qëllimin tonë,” tha ai me optimizëm.

Neymar nuk ka luajtur për Brazilin që nga tetori i vitit 2023, kur u dëmtua në një ndeshje kualifikuese kundër Uruguait. Që atëherë, ai ka kaluar një periudhë të vështirë me dëmtime dhe probleme muskulore, duke qenë më shumë jashtë fushës sesa në lojë.