Gossip Showbiz

Conor McGregor përfshihet në një tjetër incident jashtë “kafazit”!

Pamjet e fundit të publikuara online tregojnë ish-kampionin e dyfishtë të UFC-së, Conor McGregor, duke sulmuar fizikisht një person në një klub nate në Ibiza.

Në video, McGregor shihet fillimisht duke folur me një burrë të paidentifikuar nga një vend i ngritur, përpara se ta godasë dy herë me dorën e majtë.

Goditja e dytë e rrëzoi personin në dyshemenë e klubit të natës “Pacha”, ndërsa të pranishmit panë të habitur skenën.

Sipas raportimeve të “The Sun”, incidenti ndodhi rreth orës 05:53 të mëngjesit. Pavarësisht sulmit, McGregor u lejua të qëndronte në klub, ndërsa personi i goditur u nxor jashtë nga sigurimi. Deri më tani, nuk janë raportuar arrestime në lidhje me ngjarjen.

Ky incident vjen në një kohë kur McGregor nuk është ngjitur më në oktagon që nga humbja e tij me nokaut teknik përballë Dustin Poirier në korrik 2021.

Që atëherë, emri i tij ka qenë shpesh në qendër të mediave, kryesisht për ngjarje jashtë sportit.

Conor McGregor pritej të rikthehej në UFC në qershor 2024 për t’u përballur me Michael Chandler, por dueli u anulua disa javë para zhvillimit të tij për shkak të një dëmtimi në këmbë të irlandezit.

Deri tani, as McGregor dhe as përfaqësuesit e tij nuk kanë dhënë një koment zyrtar lidhur me incidentin në Ibiza.