Hayati Aroyo me origjinë turke e me lidhje të forta me botën kriminale të vendit të tij, u vra më 23 korrik të këtij viti para syve të italianes Valentina Peroni në Itali. 62-vjeçari u godit 30 herë me thikë në një apartament në Sesto San Giovanni, në verilindje të Milanos dhe më pas iu vu flaka derisa u shkrumbua, në një përpjekje për të fshirë gjurmët.
Sipas urdhrit-arrestit të lëshuar nga prokurori i Monzës, Marco Giovanni Santini, autorët e masakrës ishin Valentina 36-vjeçe, bashkëshorti i saj 38-vjeçar, Emanuele Paganini, si dhe shqiptari Elvis Simoni, 33 vjeç, mik i ngushtë i çiftit.
Ishte Simoni, i cili më 23 korrik sulmoi fizikisht Aroyon dhe i dha goditjen e parë në zemër, përpara se ta hidhte trupin e tij mbi shtrat, ta spërkaste me zbardhues e ta digjte duke shkatërruar pothuajse plotësisht apartamentin që viktima e kishte marrë me qira për një muaj.
Mediat italiane raportojnë se vetë Elvisi, i arrestuar teksa planifikonte arratisjen për në Kroaci, zbuloi motivin për një brutalitet të tillë:
Një video erotike me shoqen e tij Valentina e që viktima e kishte ruajtur në një tablet dhe që më pas u vodh nga apartamenti së bashku me një sasi parash, një celular e tre karta krediti.
Që më 24 korrik, Valentina Peroni dhe një mik, që nuk ka lidhje me sulmin, kishin paguar me njërën nga kartat e vjedhura nga një makinë lojërash fati në Busto Arsizio. Kjo shërbeu si pista e parë për hetuesit. Sfondi qëndron në një rrjet droge dhe festa të organizuara nga Aroyo, kunati i shefit të krimit turk Huseyin Sarai, i vrarë para syve të tij në Crotone më 31 janar 2005.
Dyshohet edhe se treshja e akuzuar për vrasje mori pjesë në këto festa të mbushura me kokainë e drogë sintetike. Plani u zbatua duke përdorur gruan si karrem, duke e futur atë në shtëpi e që më pas të hapte derën për bashkëpunëtorët.
Por, mbetën gjurmë të shumta, si dëshmia e një fqinjeje që pa Elvis Simonin teksa dilte nga shtëpia dhe kamerat e sigurisë, filmuan një Peugeot 107 të parkuar duke pritur. Makina drejtohej nga një mik i Valentina Peronit e në fund disa mesazhe me tekst. Në përgjigje të këtij rrëfimi, Elvisi tha:
Jam mirë, nuk është hera e parë.