Udhëheqësit e Bashkimit Evropian do të takohen nesër, të shtunën, në margjinat e samitit të G20 në Johanesburg për të diskutuar situatën në Ukrainë, thanë sot Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa.
“Ne folëm me Presidentin Zelensky. Diskutuam situatën aktuale dhe jemi të qartë se asgjë nuk duhet të bëhet për Ukrainën pa Ukrainën”, thanë Costa dhe von der Leyen në një postim në platformën X.
“Asgjë nuk duhet të vendoset për Ukrainën pa Ukrainën”, theksoi presidenti i Komisionit pas telefonatës me Zelenskyn.
Presidenti ukrainas tha se i kishte “informuar” presidentin e Komisionit dhe presidentin e Këshillit Evropian për planin e Trump për t’i dhënë fund pothuajse katër viteve të agresionit rus.
“Lidhur me hapat e ardhshëm, udhëheqësit evropianë do të takohen nesër në margjinat e samitit të G20, pastaj në Angola”, ku do të mbahet një samit i Bashkimit Evropian dhe Bashkimit Afrikan, tha Ursula von der Leyen në Platformën X.
Një zëdhënës i kancelarit gjerman, Fredrich Merz, i cituar nga The Guardian, konfirmoi se kreu i ekzekutivit gjerman, homologu i tij britanik Keir Starmer dhe shefi i Elizesë, Emmanuel Macron, kanë folur sot me presidentin ukrainas.
Njoftimi, i botuar në gjermanisht, thekson se udhëheqësit konfirmuan “mbështetjen e tyre të palëkundur dhe të plotë për Ukrainën në rrugën drejt një paqeje të qëndrueshme dhe të drejtë”. Ata i “mirëpritën përpjekjet e SHBA-së për t’i dhënë fund luftës”, duke përfshirë propozimet për të konfirmuar sovranitetin e Ukrainës dhe për të ofruar garanci “të forta” sigurie, dhe synojnë të “koordinohen edhe më shumë” për këtë.
Por nga ana tjetër, vunë në dukje se do të “vazhdojnë të ndjekin qëllimin e ruajtjes së interesave jetike europiane dhe ukrainase në planin afatgjatë”, duke theksuar se linja aktuale e kontaktit duhet të shërbejë “si pikënisje” për çdo diskutim territorial. Por, më e rëndësishmja, vazhdon The Guardian, është se ata e bënë të qartë se çdo marrëveshje paqeje “që prek shtetet europiane, BE-në ose NATO-n kërkon miratimin e partnerëve europianë ose një konsensus mes aleatëve”.
Zelensky nga ana e tij i falënderoi liderët për “mbështetjen e tyre parimore për Ukrainën dhe për të gjithë popullin ukrainas”.