Bota

Putin për ultimatumin e Trump për luftën në Ukrainë: Besoj se mund të sjellë paqen!

Presidenti rus Vladimir Putin, ka reaguar pas planit amerikan të paqes me 28 pika për Ukrainën, duke e cilësuar atë si “një bazë të mundshme për zgjidhje”.

“SHBA-ja na kërkoi të tregojmë fleksibilitet për çështjen ukrainase. Kemi marrë tekstin përmes kanaleve zyrtare me qeverinë amerikane. Është një version i modernizuar me 28 pika dhe besoj se mund të shërbejë si bazë për një marrëveshje përfundimtare paqeje”, tha ai.

Putin ripohoi se Rusia është e gatshme për bisedime paqeje, por njëkohësisht theksoi se është e kënaqur me ritmin aktual të operacionit special ushtarak, që sipas tij po çon drejt arritjes së të gjitha objektivave me mjete ushtarake.

LEXO EDHE: BE nuk bindet nga plani i paqes i SHBA/ Ukraina “të vazhdojë luftën”, Merz, Starmer e Macron: Ju mbështesim ne

Ukraina njoftoi sot se ka marrë një “draft plan” nga Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund luftës me Rusinë dhe siguroi gatishmërinë e saj për të punuar “në mënyrë konstruktive” me Uashingtonin për këtë çështje.

“Presidenti ukrainas ka marrë zyrtarisht një draft plan nga Shtetet e Bashkuara, i cili, sipas vlerësimit të SHBA-së, mund të rigjallërojë diplomacinë”, deklaroi presidenca në Telegram, duke shtuar se Volodymyr Zelensky synon ta diskutojë atë “në ditët në vijim” me homologun e tij amerikan Donald Trump.

Presidenti ukrainas, sipas një deklarate nga presidenca, “përcaktoi parimet themelore që janë të rëndësishme për popullin tonë dhe pas takimit të sotëm, ne ramë dakord të punojmë mbi pikat e planit për të siguruar një fund dinjitoz të luftës”. “Që nga sekondat e para të pushtimit rus, Ukraina ka kërkuar paqe dhe ne mbështesim të gjitha propozimet kuptimplote që mund të sjellin paqen e vërtetë më afër. Ukraina ka mbështetur propozimet e Presidentit Trump që nga fillimi i këtij viti për t’i dhënë fund gjakderdhjes”.

Presidenca ukrainase deklaron se është e gatshme të punojë në mënyrë konstruktive me palën amerikane dhe partnerët në Evropë dhe në mbarë botën për të arritur paqen.