Aktualitet

Udhëheqësit në rajon dhe ndërkombëtarët urojnë Shqipërinë për 113-vjetorin e pavarësisë!

Edhe Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, uroi shqiptarët me rastin e 113-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, një nga datat më të rëndësishme të historisë kombëtare.

Gëzuar 28 Nëntorin, Shqipëri! Gëzuar Ditën e Pavarësisë! Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ju uron festa të gëzuara!

Udhëheqësit politikë në Kosovë, Maqedoni të Veriut, si edhe në Shtetet e Bashkuara uruan për 113-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kujtoi edhe lindjen e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, krahas urimeve:

Nga Kruja e Skënderbeut, te Vlora e Ismail Qemalit dhe Prekazi i Jasharajve, historia jonë është shkruar me gjak, guxim dhe besim. Sot, Kosova e Shqipëria ecin krah për krah: dy shtete, një komb, dy flamuj, një zemër.

Osmani po qëndron në vendin tonë ku po merr pjesë në ceremonitë zyrtare për shënimin e 113-vjetorit të pavarësisë. Ndërkaq, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, kujtoi se më 28 nëntor të vitit 1443 në Krujë u ngrit flamuri Kuq e Zi i Kastriotëve dhe më 1912-ën në Vlorë, kur u shpall pavarësia e Shqipërisë.

Natyrisht, si komb evropian, sytë i kemi të kthyer kah e ardhmja, kah një Nëntor i Tretë, që duhet të vijë nëpërmjet përpjekjeve tona, punës dhe përkushtimit tonë të vazhdueshëm. Ky Nëntor i Tretë, edhe nëse nuk do të bjerë në këtë ditë, edhe nëse nuk do të jetë muaj i nëntorit, ne mund ta pagëzojmë që sot si 28 Nëntori ynë i Tretë. Atëherë amaneti i të gjithë atdhetarëve shqiptarë, të gjallë e të vdekur, do të përmbushet. Urojmë që kjo ditë të vijë sa më shpejt!

Ministri në detyrë i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, në urimin e tij për 28 Nëntor, tha se sot kur kërcënimet për paqen dhe sigurinë po rriten, Prishtina dhe Tirana duhet të qëndrojnë pranë njëra-tjetrës “për të mbrojtur vlerat, identitetin dhe ëndrrën e përbashkët të kombit”.

Ndërkaq, kryediplomati amerikan, Marco Rubio, në urimin e tij për ditën e pavarësisë, vuri në dukje se dy vendet kanë një partneritet të fortë.

Ndërsa shënojmë këtë ditë të veçantë, mezi presim të zgjerojmë bashkëpunimin tonë në fushën e sigurisë, lidhjet ekonomike dhe miqësinë e qëndrueshme me Shqipërinë.

Urime për Ditën e Flamurit Kombëtar Shqiptar kanë bërë edhe politikanë nga Maqedonia e Veriut, si Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër, por edhe kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.