Aktualitet

Uji i ndotur te “Komuna e Parisit” në Tiranë, Krimi Ekonomik nis hetimet!

Krimi ekonomik nisi një hetim në terren, ku po shqyrtohet çarja e tubacionit të nëndheshëm të ujit për banorët e zonës së Komunës së Parisit në Tiranë. Bëhet e ditur se janë kryer veprime hetimore dhe procedurale për dokumentimin e rastit. Dyshohet se çarja e tubacionit ka ardhur si pasojë e amortizimit.

Pas informacioneve të marra nga burime të hapura (rrjetet sociale) lidhur me një problematikë të ndotjes së ujit në disa zona të qytetit të Tiranës, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar janë kryer veprime hetimore dhe procedurale për dokumentimin dhe sqarimin e rrethanave.

Në vijim të sa më sipër, është kryer këqyrja e vendit të ngjarjes, nga ku dyshohet se ka ndodhur çarja e tubacionit të nëndheshëm të ujit. Gjithashtu, i është marrë deklarim si person që ka dijeni shtetasit Dorjan Korbeci, me detyrë Drejtor i Departamentit të Prodhimit dhe Shpërndarjes, i cili ka sqaruar se, në rrugën “Shaban Karaj”, si pasojë e amortizimit, është dëmtuar linja e furnizimit me ujë, duke sjellë si pasojë furnizim me turbullira.

Deputeti socialist, Erion Braçe, ngriti shqetësimin e banorëve të Njësisë nr. 5 në kryeqytet lidhur me furnizimin me ujë, jo të pastër. Përmes një postimi në rrjetet sociale, u shpreh se ka pasur një defekt te stacioni i ujësjellësit, që më pas u riparua. Banorëve me depozita iu kërkoi të bëjnë pastrimin e plotë të tyre.

E di që kemi pasur problemin e madh të furnizimit me ujë sot, e di që uji në gjithë zonën e njësisë numër 5 përfshirë Komunën e Parisit, lagjet e poshtme dhe Tiranën e Re ka qenë thuajse me dhe’. Ka qenë një defekt shumë i rëndë në dalje të nënstacionit apo tek stacioni tek Lanabregasi.

Furnizimi i pasdites (11.04) pas eleminimit të defektit në tubacione ka qenë me ujë të pastër. Do duhet që banorët që janë me depozita të bëjnë pastrimin e plotë të depozitave dhe ata që janë pa depozita të mbajnë rubinetat hapur që të fillojë që të rrjedhë uji i pastër, kërkojmë ndjesë, por janë probleme që ndodhin.

Ujësjellësi e ka riparuar në kohë rekord defektin. Duhet që të pastrojmë depozitat ose të mbajmë rubinetat hapur për ata që marrin furnizimin drejtpërdrejt nga rrjeti